
Janë fqinj për gati 20 vjet, por një mosmarrëveshje për një kabllo rryme ua prishi raportet fqinjësore.
Burhan Maxhuni nga Mitrovica po ankohet se Hamit Kaçiku ia ka vendosur një kabllo rryme nëpërmjet ballkonit të tij.
Në vitet në fillim, rrëfen se kishin pasur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët.
Mitrovicasi kujton ditën kur u kthyen në Kosovën e pasluftës dhe gjetën shtëpinë e shkatërruar.
Për disa vite, 69-vjeçari thotë se punuan bashkë me të shoqen në Suedi dhe të gjitha kursimet i investuan në ndërtimin e shtëpisë.
Sipas Maxhunit, kjo kabllo që tanimë ka sjellë telashe mes fqinjëve, kur ndërtoi shtëpinë nuk ishte fare aty.
Kur e bija iu bë për martesë dhe erdhën në Kosovë të bënin dasmën, Burhani thotë se në ballkon pa t’i kalonte një kabllo rryme deri tek fqinji i tij.
Sipas 69-vjeçarit, komshiu i tij nuk e kishte diskutuar me të asnjëherë këtë gjë dhe meqë me profesion kishte qenë elektricist, sipas tij, Hamiti e kishte bërë me duart e tij lidhjen e asaj kablloje.
Krejt kjo mesele mes fqinjëve, ka bërë që ata të mos flasin më mes vete.
Rrezikshmëria që iu kanoset është brenga më e madhe e Burhanit saherë që vijnë në Kosovë për pushime.
Ai rrëfen se për të është e dhimbshme kur nipërit nuk i lejojnë të dalin në ballkon, pasiqë frikësohen nga rreziku i kabllos elektrike.
Mirëpo, zgjidhje ky problem nuk gjeti as kur ia adresoi KEDS-it.
Sipas tij, nga aty ia dhanë një version për rregullim, mirëpo kostoja e shpenzimeve duhet të paguhet nga vetë Burhani.
E me një shpenzim të tillë, 69-vjecari nuk po pajtohet.
Ai rrëfen se po dëshiron që e gjithë kjo të zgjidhet sipas rregullave dhe të marrë fund kjo problematikë.
Pritja e një zgjidhjeje po i vie çdo ditë më e rëndë, pasiqë kohë pas kohe po përballen me rreziqe që po u vijnë si pasojë e asaj kablloje.
Akuzën kundrejt tyre, po e hedh poshtë 49-vjecari, Fatmir Kaçiku.
Ai për KIKS Kosovën tha se ajo kabllo qëndron në atë pozitë qysh nga paslufta, dhe është vendosur nga KEDS-I, e jo nga i ati i tij.
Sipas Fatmirit, edhe nëse ata do donin të bënin një gjë të tillë, Burhani nuk do i lejonte asnjëherë.
49-vjeçari rrëfeu se kablloja po kalon nëpërmjet ballkonit tani që komshiu ndërtoi shtëpinë e re tre kat, mirëpo gjithçka ishte në rregull për vite të tëra kur shtëpia e tij ishtë njëkatëshe.
I vetëdijshëm se rreziku ekziston, Fatmiri thotë se ata janë të gatshëm të pranojnë çdo vendim të KEDS-it, e madje edhe mund të kontirbojnë në mënyrë monetare, nëse shuma nuk është shumë e lartë.
Kiks Kosova ka kërkuar një përgjigje nga KEDS lidhur me këtë problematikë.
Nga kjo kompani, nëpërmjet një përgjigje me shkrim, kanë thënë se i kanë dërguar Burhanit zgjidhjen teknike, mirëpo realizimi i punëve nga ai nuk është bërë.
Nga KEDS-i kanë thënë se ndërhyrje të tilla janë jashtë procedurave dhe si institucion, nuk mund të dalin jashtë tyre.