Gashi: Polici i raportuar për rrahjen e një gruaje vazhdoi detyrën dhe ligjëroi para nxënësve

Gashi: Polici i raportuar për rrahjen e një gruaje vazhdoi detyrën dhe ligjëroi para nxënësve

Written by

in

Gazetari Kreshnik Gashi ka kritikuar trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave nga institucionet, duke përmendur disa raste konkrete edhe nga Komuna e Pejës.

Në Debat Plus, Gashi ka thënë se, pavarësisht raportimeve për raste të dhunës ndaj grave dhe vendimeve gjyqësore, sipas tij, nuk ka pasur llogaridhënie të mjaftueshme nga personat dhe institucionet.

Ai ka përmendur raste kur, burra të dënuar për dhunë ndaj grave kanë marrë dënime me kusht. Po ashtu, ka folur për raste të policëve të akuzuar për dhunë ndaj grave, të cilët, sipas tij, kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe kanë vazhduar të punojnë në Polici.

Gashi ka kritikuar gjithashtu rastin e një polici, për të cilin tha se ishte raportuar për ushtrim të dhunës ndaj një gruaje dhe se më vonë kishte ligjëruar para nxënësve.

“Një njeri që e rreh një grua, një polic që e rreh një grua, ka ligjëruar para nxënësve”, ka thënë Gashi, duke kritikuar mënyrën se si trajtohen raste të tilla nga institucionet.

Ai ka përmendur edhe rastin e një vajze 15-vjeçare, për dhunimin e së cilës, sipas tij, një person ishte dënuar fillimisht me pesë muaj burgim. Ai ka thënë se pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Pejë kishte shqiptuar dënim prej pesë vjetësh e gjashtë muajsh, ndërsa çështja kishte kaluar më pas në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën Supreme.

Sipas Gashit, në këtë rast, çështja e nënshkrimit të ankesës ishte bërë përcaktuese në procedurën gjyqësore, ndonëse, siç tha ai, fajësia dhe fakti i dhunimit nuk ishin kontestuar.

“Ky është niveli me të cilin funksionon sistemi ynë”, ka deklaruar Gashi.

Burimi: Dukagjini