Cristiano Ronaldo doli fitues i votimit B.O.A.T. (Ballon d’Or Of All Time), por përtej rezultatit, vëmendje kanë tërhequr edhe shifrat e pjesëmarrjes në këtë proces, ku çdo votë kushtonte një euro dhe tifozët mund të votonin disa herë.
Sipas të dhënave të publikuara nga organizatorët, gjithsej 5,009 persona votuan më shumë se një herë. Prej tyre, 44 persona votuan nga 10 deri në 26 herë, 300 persona nga pesë deri në nëntë herë, ndërsa 4,665 të tjerë nga dy deri në katër herë.
Duke llogaritur numrin minimal të votave për secilin grup, këta pjesëmarrës kanë regjistruar së paku 11,270 vota, me një vlerë prej po aq eurosh. Shuma reale mund të jetë më e lartë, pasi nuk dihet numri i saktë i votave të hedhura nga secili person brenda intervaleve të publikuara.
Grupi më i madh përbëhet nga 4,665 persona që votuan nga dy deri në katër herë. Edhe nëse secili prej tyre ka votuar vetëm dy herë, ky grup përfaqëson të paktën 9,330 vota, me vlerë 9,330 euro.
Ndërkohë, 300 personat që votuan nga pesë deri në nëntë herë kanë regjistruar së paku 1,500 vota, ndërsa 44 pjesëmarrësit që votuan nga 10 deri në 26 herë kanë dhënë të paktën 440 vota.
Ronaldo fitoi votimin me sezonin e vitit 2008, kur ishte pjesë e Manchester Unitedit, duke lënë pas Lionel Messin me sezonin e vitit 2012.
Votimi u organizua nga France Football dhe pjesëmarrësit paguanin nga një euro për secilën votë.
Megjithatë, shuma e llogaritur nga votat e përsëritura nuk duhet të konsiderohet automatikisht fitim neto i organizatorëve, pasi nuk janë publikuar të dhëna për kostot dhe të ardhurat përfundimtare të procesit. /Telegrafi/