
Albert Sylaj, i dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, ishte dënuar me aktgjykime të formës së prerë në katër raste të tjera, raporton Klan Kosova.
Sipas dosjes, e kaluara penale e të dyshuarit është një nga rrethanat që janë marrë parasysh në vlerësimin e rrezikut për përsëritjen e veprave penale.
Prokuroria thekson se, duke pasur parasysh natyrën dhe peshën e veprës për të cilën dyshohet, mënyrën e kryerjes dhe rrethanat e tjera që lidhen me sjelljen e tij, ekziston shqetësim serioz se ai mund të përsërisë sjelljet kriminale nëse lihet në liri, transmeton Klankosova.tv
Sylaj dyshohet për vrasjen e rëndë të Arlinda Zekajt, e cila, sipas Prokurorisë, u vra më 25 tetor në Vitomiricë, pasi ishte kthyer nga Stacioni Policor në Pejë, ku kishte raportuar dhunën nga bashkëshorti i saj.
Gjykata Themelore në Pejë ia ka caktuar Sylajt një muaj paraburgim./Klankosova.tv