Lëvizja që u krijua nga protestat pas vdekjes së 16 personave nga shembja e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, tashmë ka fituar zgjedhjet. Megjithatë, ndryshimi i pushtetit në Serbi ende duhet të ndodhë.
Lista e mbështetur nga studentët nuk përbëhet vetëm nga studentë. Në të bëjnë pjesë edhe profesorë, mjekë dhe kandidatë të tjerë, shkruan index.hr.
Ajo udhëhiqet nga kardiologu i Novi Sadit, Ilija Srdanoviq. Por, çfarë i pret fituesit dhe si e përfytyrojnë ata Serbinë e re?
Plani i studentëve
Baza e programit të tyre quhet “Plani i Studentëve”. Ai përmban 11 pika, të ndara në tri pjesë: “Serbia ose mafia”, “Dija është fuqi” dhe “Serbia rritet bashkë me ne”.
Pjesa e parë përqendrohet te institucionet dhe korrupsioni, ndërsa pjesët e tjera trajtojnë arsimin, ekonominë dhe problemet e përditshme të qytetarëve.
Ligji për prejardhjen e pasurisë dhe lustrimi
Lista e Studentëve ka paralajmëruar krijimin e një strukture të posaçme policore në kuadër të prokurorisë, e cila do të hetonte korrupsionin dhe do t’i arrestonte përgjegjësit pa presion politik.
Ajo ka premtuar gjithashtu verifikimin e punës së policisë, gjykatave dhe prokurorisë, si dhe miratimin e një ligji për prejardhjen e pasurisë dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.
Në program përmendet edhe lustrimi i zyrtarëve publikë. Kjo do të përfshinte kontrollin e pasurisë së zyrtarëve dhe shqyrtimin e veprimeve të tyre. Sipas programit, përgjegjësi do të mbanin ata që kanë keqpërdorur detyrën, janë përfshirë në korrupsion ose kanë shkelur të drejtat e njeriut, Kushtetutën dhe ligjet.
Studentët kërkojnë publikimin e kontratave dhe tenderëve, si dhe auditimin e projekteve shtetërore, veçanërisht të atyre që janë zhvilluar në mënyrë jotransparente ose kanë kushtuar më shumë sesa duhej.
Sa u përket mediave, ata paralajmërojnë depolitizimin e rregullatorit dhe të transmetuesit publik RTS. Plani përfshin edhe shqyrtimin e përgjegjësisë së gazetarëve dhe redaksive televizive, si dhe heqjen dhe rishpërndarjen e frekuencave kombëtare.
Megjithatë, programi nuk sqaron se kush do t’i kryente këto verifikime dhe sipas cilave kritere do të hiqeshin frekuencat.
Punësimi, shkollat, banesat dhe mjekët
Në sektorin publik, studentët synojnë t’i japin fund punësimit mbi baza partiake dhe që drejtorët të zgjidhen përmes konkurseve publike.
Në arsim, ata premtojnë libra shkollorë falas për të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, modernizimin e mësimdhënies dhe qasje më të lehtë në aktivitetet jashtëshkollore.
Në fushën e ekonomisë, paralajmërojnë mbështetje për sipërmarrësit vendorë, fermerët dhe kompanitë e reja të teknologjisë.
Ata synojnë që kohëzgjatja maksimale e kontratave të punës me afat të caktuar të kufizohet në 12 muaj, pas së cilës punëtorët do të përfitonin kontrata pa afat të caktuar.
Në program premtohet edhe eliminimi i monopolit të grupeve të interesit që merren me importin, si dhe garantimi i sigurisë ushqimore. Sipas tyre, toka bujqësore dhe uji duhet të mbrohen si pasuri kombëtare.
Për çiftet e reja dhe punëtorët e profesioneve ku ka mungesë të fuqisë punëtore, planifikohen kushte më të favorshme për marrjen me qira dhe blerjen e banesave.
Studentët premtojnë gjithashtu uljen e çmimeve të barnave, rinovimin e ambulancave në zonat rurale dhe punësimin e mjekëve e teknikëve të rinj. Megjithatë, për këto masa nuk kanë përcaktuar afate kohore apo vlerësime të kostove.
Zgjerimi i marrëdhënieve të mira me fqinjët
Para zgjedhjeve, Srdanoviq deklaroi se pushteti i Aleksandar Vuçiqit po kontribuon në përkeqësimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kroacinë dhe vendet e tjera fqinje.
Ai hodhi poshtë pretendimet se Kroacia qëndron prapa lëvizjes studentore, duke theksuar se shteti kroat nuk ka lidhje me Listën e Studentëve.
Për marrëdhëniet me fqinjët, ai paralajmëroi zgjerimin e bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë, duke theksuar se interesat e qytetarëve të Serbisë do të jenë përparësi.
Deri më tani, ata nuk kanë paraqitur një plan të veçantë për marrëdhëniet me Kroacinë.
Marrëdhëniet me BE-në dhe fuqitë e mëdha
Lista synon thellimin e partneriteteve strategjike ekzistuese me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, si Greqia, Italia, Hungaria dhe Franca, si dhe zhvillimin e bashkëpunimit të ngjashëm dypalësh me shtetet e tjera evropiane.
Ajo mbështet përparimin në kapitujt që lidhen me drejtësinë dhe të drejtat themelore, por në program nuk e përmend shprehimisht anëtarësimin në BE si objektiv.
Srdanoviq ka deklaruar më herët se për anëtarësimin e Serbisë në BE do të vendosej përmes një referendumi, pas debatit publik dhe mbylljes së kapitujve të negociatave.
Lista paralajmëron zhvillimin e një partneriteti gjithëpërfshirës strategjik me Kinën dhe forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, mbi bazën e interesave të përbashkëta dhe besimit më të madh.
Ajo mbështet ruajtjen e partneritetit tradicional me Rusinë dhe, në parim, kundërshton vendosjen e sanksioneve ndaj saj. Në të njëjtën kohë, thekson se duhet të respektohet integriteti territorial i të gjitha shteteve, përfshirë Ukrainën.
Në program, studentët mbështesin gjithashtu ruajtjen e neutralitetit ushtarak të Serbisë si orientim strategjik.
Zgjidhje për Kosovën përmes paqes dhe dialogut
Srdanoviq ka deklaruar se qëndrimi i Listës së Studentëve përcaktohet nga Kushtetuta e Serbisë, sipas së cilës Kosova dhe Metohia janë pjesë përbërëse e vendit.
Në memorandumin e studentëve thuhet se një zgjidhje e përhershme mund të kërkohet në mënyrë paqësore dhe përmes dialogut, duke respektuar Kushtetutën e Serbisë, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare.
Ai ka deklaruar gjithashtu se nuk do t’i braktisin serbët në Kosovë.
Megjithatë, Srdanoviq nuk është përgjigjur drejtpërdrejt nëse lista e tij do t’i zbatonte dy marrëveshjet e arritura nga Vuçiqi me Kosovën: marrëveshjen e vitit 2023 për pranimin e pasaportave, diplomave dhe targave, si dhe marrëveshjen e vitit 2020 për bashkëpunimin ekonomik.
Zgjedhjet u sollën studentëve fitoren, por tani ata duhet t’i shndërrojnë premtimet e fushatës në vendime konkrete. /Telegrafi/