Barcelona rrezikon dënimin pas dy incidenteve në humbjen ndaj Real Madridit

Barcelona rrezikon dënimin pas dy incidenteve në humbjen ndaj Real Madridit

Written by

in

Barcelona rrezikon dënimin pas dy incidenteve në humbjen ndaj Real Madridit

Barcelona rrezikon të gjobitet pas incidenteve të regjistruara gjatë El Clasicos të së dielës kundër Real Madridit, ndërsa La Liga ka hapur edhe një hetim të veçantë për një incident të pretenduar ndaj mesfushorit madrilen, Eduardo Camavinga.

Sipas mediumit spanjoll “Mundo Deportivo”, Komiteti Disiplinor i La Ligës ka shqyrtuar të mërkurën rastin e hedhjes së sendeve në fushë, pas golit të dytë të Kylian Mbappes në fitoren e Real Madridit ndaj Barcelonës.

Në raportin e tij, gjyqtari Juan Martinez Munuera ka bërë të ditur se në minutën e 87-të, nga tribuna veriore e stadiumit, u hodhën në drejtim të fushës një shishe uji dhe një kanaçe pijeje. Kjo pjesë e stadiumit frekuentohet kryesisht nga tifozët vendas, por asnjëri prej sendeve nuk e goditi ndonjë lojtar.

Pas incidentit, gjyqtari aktivizoi fazën e parë të protokollit për hedhjen e sendeve në fushë. Përmes sistemit të zërimit të stadiumit, tifozëve iu dha një paralajmërim, ndërsa ndeshja u ndërpre për pak çaste.

Komiteti e ka klasifikuar rastin si shkelje të lehtë, në bazë të nenit 117 të Kodit Disiplinor. Sipas raportimit, Barcelona rrezikon një gjobë deri në 602 euro, ndërsa nëse shkelja vlerësohet në nivel të mesëm, gjoba do të ishte 301 euro. Shuma përfundimtare do të përcaktohet në bazë të klasifikimit disiplinor të rastit.

Ndërkohë, La Liga ka hapur një hetim të veçantë për një incident të pretenduar ndaj Eduardo Camavingas, i cili ndodhi gjatë festimit pas golit të dytë të Mbappes.

Sipas raportimeve, disa tifozë dyshohet se e kanë goditur mesfushorin francez në kokë me shtiza flamujsh. Rasti është raportuar nga La Liga dhe pritet të shqyrtohet përmes procedurave përkatëse disiplinore.

Ky hetim është i ndarë nga ai për hedhjen e sendeve në fushë dhe deri më tani nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar.

Incidentet vijnë pas një jave të vështirë për Barcelonën, e cila pësoi dy humbje radhazi, fillimisht ndaj Paris Saint-Germainit dhe më pas ndaj Real Madridit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali