Një darkë e bollshme pak para gjumit lidhet me cilësi më të dobët të gjumit, ndërsa as të shkoni në shtrat të uritur nuk është zgjidhje.
Studimet sugjerojnë se është e rëndësishme të keni kujdes se sa hani dhe sa kohë para gjumit konsumoni vaktin e fundit.
Foto ilustruese
Të paktën tri orë para gjumit
Një studim i Universitetit të Pecsit në Hungari, i publikuar në revistën shkencore Nutrients, zbuloi se 51.7 për qind e pjesëmarrësve kishin cilësi të dobët të gjumit.
Studentët që konsumonin shpesh darka të bollshme kishin pothuajse tri herë më shumë gjasa të flinin keq.
Edhe ata që zëvendësonin vaktet kryesore me ushqime të shpejta dhe ata që hanin më pak se tri orë para gjumit kishin rrezik më të lartë.
A duhet shmangur gjithmonë darka e vonë?
Jo domosdoshmërisht. Një studim i Universitetit Johns Hopkins në SHBA, ku morën pjesë 20 të rinj të shëndetshëm, nuk gjeti dëmtime të rëndësishme të gjumit pas konsumimit të darkës në orën 22:00.
Megjithatë, studimi ishte i vogël dhe u zhvillua vetëm gjatë një nate, ndaj nevojiten kërkime të tjera për të nxjerrë përfundime të sigurta.
Çfarë të hani dhe çfarë të shmangni?
Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë (NHS) këshillon shmangien e vakteve të rënda, ushqimeve pikante dhe ëmbëlsirave disa orë para gjumit.
Nëse ndiheni të uritur, mund të konsumoni një ushqim të lehtë, si një gotë qumësht të ngrohtë, në vend që të hani një darkë të bollshme.
Kujdes edhe me pijet
Kafeja dhe pijet e tjera me kafeinë rekomandohet të shmangen pesë deri në gjashtë orë para gjumit.
Në vend të tyre, mund të zgjidhni ujë, qumësht ose çaj bimor.
Çaji i kamomilit njihet për efektin e tij qetësues, ndërsa alkooli mund të shkaktojë zgjime të shpeshta gjatë natës dhe lodhje në mëngjes. /Telegrafi/