Maliqi për suspendimin e 11 policëve: Vlerësim i vonuar, përgjegjësi ka edhe në institucione të tjera

Maliqi për suspendimin e 11 policëve: Vlerësim i vonuar, përgjegjësi ka edhe në institucione të tjera

Written by

in

Ish-gjenerali i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, e ka vlerësuar si të vonuar suspendimin e 11 zyrtarëve policorë lidhur me trajtimin e rasteve të raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj.

Duke komentuar këtë çështje FIVE të TV Dukagjinit, Maliqi ka thënë se masat ndaj zyrtarëve policorë është dashur të ndërmerreshin më herët, pasi, sipas tij, nuk është dashur shumë kohë për përgatitjen e një raporti dhe vlerësimin e lëshimeve të mundshme.

“Më duket që është vlerësim pak i vonuar, janë vonuar në marrjen e masave të tilla. Besoj se ka pasur mundësi edhe më herët, se nuk ka dashur aq shumë kohë që të bëhet një raport dhe të vlerësohen lëshimet e zyrtarëve policorë”, ka deklaruar Maliqi.

Ai ka theksuar se analizimi i plotë i rastit mund të nxjerrë në pah informacione dhe përgjegjësi të tjera, duke përmendur se çdo ditë po bëhen publike të dhëna të reja lidhur me rastin e Zekajt.

Sipas Maliqit, viktima kishte dokumentuar me shkrim dhe përmes bisedave të incizuara veprimet e saj, prandaj, sipas tij, institucionet nuk mund të arsyetohen se nuk kanë qenë në dijeni për rastin.

”Dhe askush nuk mund të arsyetohet që nuk e ka ditur rastin e saj, por lëshimet, neglizhenca, mosmarrja e masave të duhura po shihet që janë te institucionet, edhe te policia, edhe te prokuroria, ndoshta edhe te gjykata”, ka thënë ai.

Ish-gjenerali ka vlerësuar se, varësisht nga të gjeturat e hetimit, të gjithë personat përgjegjës duhet të përballen me përgjegjësinë që u takon, përfshirë edhe në nivelin qendror.

”Unë besoj varësisht prej të gjeturave lidhur me rastin, duhet të gjithë të ballafaqohen me përgjegjësinë që iu takon edhe në nivel qendror”, ka theksuar Maliqi.

Burimi: Dukagjini