
Austriaku Florian Zoller ka hyrë në histori duke vendosur një rekord botëror në disiplinën e slackline-it, pasi ka përshkuar 144 metra mbi një shirit të posaçëm, të shtrirë mes dy kabinave të teleferikut në malet e Tirolit.
Kalimi u realizua në një lartësi deri në 150 metra mbi tokë dhe zgjati 15 minuta e 30 sekonda. Rekordi u konfirmua zyrtarisht nga komisioni sportiv i ISA-s më 29 tetor.
Zoller, i cili praktikon këtë disiplinë prej 17 vitesh, dëshmoi aftësi të jashtëzakonshme ekuilibri, përqendrimi dhe kontrolli të trupit për të përfunduar me sukses sfidën në lartësi ekstreme.
Slackline-i është një sport në të cilin pjesëmarrësit ecin mbi një shirit të ngushtë dhe elastik, të tendosur mes dy pikave të fiksimit. Ndryshe nga litari tradicional, shiriti lëviz dhe lëkundet gjatë ecjes, duke e bërë ruajtjen e ekuilibrit edhe më të vështirë.
Rekordi i austriakut përbën një arritje të veçantë në këtë disiplinë, ku çdo hap kërkon përgatitje të gjatë, përqendrim maksimal dhe kontroll të saktë të lëvizjeve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali