Zyra e Kryeministrit ka pranuar raportet e hollësishme nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me rastin e Arlinda Zekajt.
Sipas njoftimit të ZKM-së, raportet do të shqyrtohen dhe analizohen në detaje, përfshirë historikun dhe rrjedhën e rastit, si dhe çdo lëshim të mundshëm, trajtim të papërgjegjshëm, neglizhencë apo mosreagim institucional.
“Do të bëhet shqyrtimi dhe analizimi i tyre në detaje, për historinë dhe rrjedhën e rastit, për secilin lëshim e trajtim të papërgjegjshëm, për neglizhencë e mosreagim, si dhe gjithçka që lidhet me procedurën dhe përgjegjësinë institucionale”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Lidhur me raportet dhe veprimet e mëtejshme, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të mbajnë konferencë të përbashkët për media të premten, më 30 tetor, në orën 09:00, në ndërtesën e Zyrës së Kryeministrit.
Burimi: Dukagjini
