Inspektorati Qendror i Punës, në kuadër të inspektimeve të vazhdueshme në terren për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës dhe të sigurisë dhe shëndetit në punë, ka realizuar inspektime në dy objekte ndërtimi në komunat e Istogut dhe Ferizajt.
Gjatë inspektimeve janë konstatuar parregullsi në zbatimin e masave për siguri dhe shëndet në punë, të cilat paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
Për këtë arsye, Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendime për ndalimin e përkohshëm të punimeve në këto objekte ndërtimi, deri në eliminimin e të gjitha mangësive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e punës.
“Inspektorati Qendror i Punës do të vazhdojë inspektimet në terren dhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj subjekteve që nuk i respektojnë kërkesat për siguri dhe shëndet në punë. Njëkohësisht, u bëhet thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë me përpikëri legjislacionin në fuqi dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve. Përmirësimi i kushteve të punës, kontribuon në parandalimin e aksidenteve në vendin e punës!”, njofton Inspektorati Qendror i Punës.
Burimi: RTKLive
