Ekskluzive | Skena të pazakonta në Policinë e Prishtinës – shtetasi turk demolon zyrën, ua gjuan policëve tastierën e kompjuterit dhe lëndon njërin!

Ekskluzive | Skena të pazakonta në Policinë e Prishtinës – shtetasi turk demolon zyrën, ua gjuan policëve tastierën e kompjuterit dhe lëndon njërin!

Written by

in

Ekskluzive | Skena të pazakonta në Policinë e Prishtinës – shtetasi turk demolon zyrën, ua gjuan policëve tastierën e kompjuterit dhe lëndon njërin!

Një shtetas turk ka shkaktuar një incident të pazakontë brenda Stacionit Policor Jugu në Prishtinë. Ndonëse ndodhej në ambientet e Policisë si person i ndaluar, ai dyshohet se ka nisur të shkatërrojë inventarin e një zyre dhe më pas ka sulmuar zyrtarët policorë me tastierën e kompjuterit, duke e goditur njërin prej tyre në këmbë.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se gjithçka ka ndodhur mëngjesin e së enjtes, më 29 tetor, rreth orës 08:10, ndërsa në qendër të incidentit është Ismet Aksoy, 52 vjeçar, shtetas i Turqisë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Aksoy ndodhej brenda Stacionit Policor Jugu kur papritur ka filluar të dëmtojë raftet dhe dollapët në njërën prej zyrave të katit përdhes.

Mirëpo, incidenti nuk ka përfunduar me dëmtimin e inventarit.

Në momentin kur policët ndodheshin pranë derës së dhomës së intervistimit, i dyshuari ka kapur tastierën e kompjuterit dhe e ka hedhur në drejtim të tyre, duke goditur në këmbë njërin prej zyrtarëve.

Situata është tensionuar edhe më tej, pasi Aksoy ka shfaqur sjellje agresive dhe rezistencë aktive ndaj policëve, të cilët kanë ndërhyrë për ta vënë nën kontroll dhe për t’i vendosur prangat.

Pas incidentit, në stacion kanë ndërhyrë hetuesit dhe krimteknikët, të cilët kanë fotografuar dëmtimet dhe kanë dokumentuar vendin e ngjarjes.

Zyrtari policor i goditur është intervistuar në cilësinë e të dëmtuarit, ndërsa dy policë të tjerë kanë dhënë deklaratat e tyre si dëshmitarë.

Rasti ka përfunduar me inicimin e procedurave penale ndaj Aksoyt për “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” dhe “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë”.

Me vendim të organeve kompetente, i dyshuari është dërguar në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë, ndërsa intervistimi i tij nga hetuesit rajonalë ishte paraparë të zhvillohej gjatë ndalimit.

Rrethanat që çuan në këtë incident brenda stacionit policor mbeten për t’u sqaruar gjatë hetimeve.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali