Arbnor Aliu, pika e ndritshme e Llapit beson në kualifikimi në Evropë këtë sezon

Arbnor Aliu, pika e ndritshme e Llapit beson në kualifikimi në Evropë këtë sezon

Written by

in

Arbnor Aliu është padyshim një nga pikat më të ndritshme të Llapit në këtë edicion, duke spikatur me paraqitjet e tij pavarësisht rezultateve jo të mira të skuadrës.

Mbrojtësi 23-vjeçar po dëshmon stabilitet dhe nivel të lartë në çdo ndeshje, ndërsa këtë sezon po kontribuon edhe në fazën sulmuese me gola dhe asistime.

Aliu ka qenë pjesë e përfaqësueseve të Gjermanisë nga U15 deri te U18, përpara se të vendoste të përfaqësonte Kosovën në nivelin U21. Në karrierën e tij ka luajtur edhe për klube si Schalke 04, Holstein Kiel dhe Hansa Rostock, ndërsa te Llapi është që nga vera e vitit 2025.

Në një intervistë për Telegrafin, Aliu ka folur për përvojën e tij në klubin nga Podujeva, vendimin për t’u rikthyer në futbollin kosovar, përfaqësimin e Kosovës, formën personale dhe të skuadrës, si dhe objektivat për pjesën e mbetur të sezonit.

“Jam shumë i lumtur te Llapi”

Aliu thotë se është ndjerë mirë që nga dita e parë te Llapi, duke vlerësuar pritjen dhe mbështetjen që ka marrë nga klubi, bashkëlojtarët dhe trajneri Tahir Batatina.

“E ndiej veten shumë mirë dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e Llapit, sepse që nga dita e parë jam pritur mirë nga klubi dhe bashkëlojtarët. Një rol të rëndësishëm ka pasur trajneri Tahir Batatina, i cili ka pasur besim tek unë dhe më ka dhënë mundësinë”, ka deklaruar Aliu.

Mbrojtësi tregon se vendimi për të ardhur në Kosovë ishte një zgjedhje personale, përmes së cilës synonte një ndryshim në karrierën e tij.

“Personalisht kam dashur një ndryshim në karrierë. E kam parë që niveli i Superligës së Kosovës është shumë i lartë. Pra, nuk jam penduar, sepse pas gati një viti e gjysmë jam shumë i lumtur dhe i kënaqur me arritjet”, ka thënë ai.

“Është ndjenjë shumë e veçantë ta përfaqësosh Kosovën”

Aliu ka qenë pjesë e disa grupmoshave të Gjermanisë, por në fund vendosi që në nivelin U21 të përfaqësonte Kosovën. Ai e përshkruan këtë vendim si një zgjedhje të marrë me zemër.

“Është një ndjenjë shumë e veçantë. Ka qenë një vendim që e kam marrë me zemër. Shpresoj që në të ardhmen të kem mundësi ta përfaqësoj vendin tim, sepse besoj se është një ëndërr për çdo futbollist të përfaqësojë vendin e tij”, ka deklaruar mbrojtësi.

Gola dhe asistime, por prioritet mbetet mbrojtja

Edhe pse luan në repartin defensiv, Aliu këtë sezon ka kontribuar në fazën sulmuese, duke shënuar dy gola dhe dhënë një asistim. Megjithatë, ai thekson se për të më e rëndësishmja është suksesi i skuadrës.

“Jam i lumtur kur arrij ta ndihmoj ekipin me gola apo asistime, por për mua më të rëndësishme janë sukseset e skuadrës. Faza sulmuese më tërheq pak, sepse luaj edhe në mesfushë. Por, si qendërmbrojtës, fokusi im është faza mbrojtëse”, ka theksuar Aliu.

Llapi nuk ka pasur rezultatet e pritshme në këtë edicion dhe aktualisht ka grumbulluar vetëm pesë pikë. Megjithatë, mbrojtësi beson se skuadra ka potencial për të ndryshuar situatën.

“Sigurisht që si ekip kemi pritur rezultate më të mira, sepse besoj se kemi shumë cilësi dhe potencial. Besoj se do të kemi rezultate më të mira, pasi klubi dhe lojtarët meritojnë më shumë. Sa i përket formës sime personale, jam shumë i kënaqur me progresin që po bëj. Por, si ekip dhe individualisht, mendoj se mund të japim më shumë”, ka thënë ai.

“Objektivi ynë është kualifikimi në Evropë”

Pavarësisht rezultateve të deritanishme, Aliu beson se Llapi mund të arrijë më shumë gjatë këtij sezoni. Ai e sheh kualifikimin në garat evropiane si objektivin kryesor të skuadrës.

“Unë mendoj se Llapi ka potencial për shumë më tepër sesa rezultatet që kemi tani. Qëllimi ynë është kualifikimi në Evropë. Besoj shumë te potenciali që kemi dhe mendoj se mund ta arrijmë këtë objektiv”, është shprehur mbrojtësi.

Sa i përket të ardhmes së tij, Aliu thotë se synon të zhvillojë një sezon të mirë dhe nuk e fsheh dëshirën për të bërë një hap të rëndësishëm në karrierë, përmes një transferimi jashtë Kosovës.

“Objektivi im kryesor është të kem një sezon të mirë. Normalisht, si çdo futbollist, kam qëllimin të arrij sa më lart. Shpresoj që të mund të realizoj një transferim jashtë vendit”, ka deklaruar Aliu.

Në fund, 23-vjeçari ka falënderuar trajnerin Tahir Batatina dhe stafin e Llapit për mbështetjen që i kanë dhënë, veçanërisht në një periudhë të vështirë para ardhjes së tij në Kosovë.

“Si përfundim, do ta falënderoja trajnerin Tahir Batatina dhe stafin e Llapit, të cilët në një fazë jo të mirë para ardhjes sime në Kosovë më kanë mbështetur dhe më kanë besuar maksimalisht”, ka përfunduar Aliu. /Telegrafi/