Gërvalla: Arlinda paralajmëroi vrasjen, institucionet nuk vepruan

Gërvalla: Arlinda paralajmëroi vrasjen, institucionet nuk vepruan

Written by

in

Gërvalla bëri të ditur se Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje institucionale, duke raportuar dhunë, kërcënime dhe frikë për jetën e saj dhe të fëmijës. Më 7 shtator, ajo kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje emergjente nga Gjykata Themelore në Pejë, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.

“Rreziku ishte raportuar shprehimisht dhe ishte i dokumentuar”, deklaroi Gërvalla.

Sipas raportit, gjykata nuk i kishte respektuar afatet ligjore për trajtimin e kërkesës. Edhe pse ligji parasheh afat prej shtatë ditësh për vendimmarrje, seancat ishin shtyrë disa herë, ndërsa aktvendimi për urdhër mbrojtjeje ishte nxjerrë vetëm më 16 tetor, pas më shumë se një muaji.

Një tjetër fakt shqetësues, sipas ministres, është se më 17 shtator Arlinda Zekaj i ishte drejtuar kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Shkumbin Hadërgjonaj, duke paralajmëruar për vonesat dhe rrezikun ndaj jetës së saj. Përgjigjen e kishte marrë më 20 tetor, ku kryetari kishte konstatuar se gjyqtari kishte vepruar brenda afateve ligjore.

Megjithatë, Gërvalla tha se dokumentacioni dhe ligji tregojnë të kundërtën. Po atë ditë, Arlinda Zekaj i kishte shkruar sërish kryetarit të gjykatës, duke shprehur dëshpërimin dhe frikën se do të vritej si pasojë e neglizhencës institucionale.

“Pesë ditë më vonë, ajo tragjikisht u vra”, theksoi ministrja.

Raporti evidenton gjithashtu moszbatimin e urdhrit të mbrojtjes. Sipas Gërvallës, më 20 dhe 21 tetor, Qendra për Punë Sociale kishte njoftuar gjyqtarin përgjegjës për moszbatimin e masave, por nga dokumentacioni nuk rezulton se ishin ndërmarrë veprime të mëtejshme ligjore.

Probleme serioze janë evidentuar edhe në Prokurorinë Themelore në Pejë. Sipas raportit, prokuroria ishte informuar për dhunën dhe kërcënimet ndaj Zekajt që nga 10 korriku. Madje, më 23 tetor, vetëm dy ditë para vrasjes, kryeprokurorja e atëhershme, Lumturije Vuçetaj, ishte informuar me shkrim se viktima kishte raportuar kërcënim të drejtpërdrejtë me vrasje nga Albert Sylaj.

Sipas ministres, prokurorja përgjegjëse kishte refuzuar hapjen e rastit për kanosje dhe kishte kërkuar nga personat e dyshuar sigurimin e pamjeve të kamerave të sigurisë. Megjithatë, nuk ka dokumentacion që dëshmon nëse këto pamje ishin dorëzuar dhe çfarë veprimesh ishin ndërmarrë më pas.

Gërvalla ngriti shqetësime edhe për mosadresimin e kërkesës së Arlindës për t’u kthyer në shtëpinë e saj. Në vend të zbatimit të vendimit gjyqësor, asaj i ishte rekomanduar që çështjen pronësore ta zgjidhte përmes procedurave civile, ndërsa në disa raste i ishte sugjeruar të largohej nga shtëpia për arsye sigurie.

“Pra, në vend që të largohej rreziku nga viktima, viktimës i kërkohej të largohej nga rreziku duke hequr dorë nga shtëpia e saj”, deklaroi Gërvalla.

Sa i përket Qendrës për Punë Sociale në Pejë, raporti evidenton se institucioni kishte pasur komunikim të vazhdueshëm me Arlinda Zekajn nga korriku deri në tetor, por nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme për krijimin e kushteve për kthimin e saj në shtëpinë e përbashkët. Gjithashtu, qendra nuk kishte dorëzuar me kohë raportin e kërkuar nga gjykata, gjë që kishte ndikuar në shtyrjen e seancave.

Ministrja foli edhe për përgjegjësitë e Komunës së Pejës në mbikëqyrjen e Qendrës për Punë Sociale, duke thënë se deri në përfundimin e raportit, nga komuna ishte pranuar vetëm një përgjigje e shkurtër, pa informacione për masa konkrete lidhur me mangësitë e evidentuara.

Ndërkohë, Gërvalla bëri të ditur se dy prokurore të përfshira në trajtimin e rastit tashmë janë pezulluar nga detyra. Ajo theksoi se ky veprim nuk nënkupton konstatim përfundimtar të përgjegjësisë, por mundëson zhvillimin e procedurave përkatëse.

Ministrja kërkoi që të gjitha veprimet dhe mosveprimet institucionale të shqyrtohen në tërësi dhe që ndaj personave përgjegjës, aty ku konstatohen shkelje, të ndërmerren masat e parapara me ligj.

Burimi: RTKLive