Vendimi është marrë në kuadër të një konflikti administrativ, pas padisë së 28 paditësve kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës. Gjykata e ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë për shfuqizimin e aktit nënligjor normativ.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme ka vlerësuar se marrja e përkohshme e patentë-shoferit nga policia dhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit janë dy institute të ndryshme juridike dhe nuk duhet të ngatërrohen gjatë zbatimit.
“Duke iu referuar nenit 244 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, Gjykata ka konstatuar se mbajtja e përkohshme e patentë-shoferit nga policia nuk mund të zgjasë më shumë se tetë ditë. Kësisoj, sipas saj, nuk është në përputhje me ligjin që kthimi i dokumentit të kushtëzohet me përfundimin e masës mbrojtëse, e cila mund të zgjasë tre, gjashtë apo dymbëdhjetë muaj”, thuhet në njoftim.
Gjykata ka theksuar se një akt nënligjor nuk mund të zgjerojë kompetencat e përcaktuara me ligj dhe as të vendosë kufizime shtesë pa bazë ligjore.
Ndërkaq, kërkesa për shfuqizimin e paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 17 të këtij udhëzimi administrativ është refuzuar si e pabazuar. Sipas Gjykatës, këto dispozita kanë karakter procedural dhe organizativ, pasi përcaktojnë njësinë policore përgjegjëse për administrimin e dokumentit dhe detyrimin për lëshimin e vërtetimit për marrjen e përkohshme të patentë-shoferit, pa tejkaluar autorizimet ligjore.
Burimi: RTKLive
