Prishtina 2030 merr formë, Kurti konfirmon shtrirjen e Lojërave Mesdhetare në disa qytete të Kosovës

Prishtina 2030 merr formë, Kurti konfirmon shtrirjen e Lojërave Mesdhetare në disa qytete të Kosovës

Written by

in

Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” do të shtrihen edhe në disa komuna të tjera të Kosovës, ashtu siç ishte paraparë që në fazën e kandidaturës. Kështu ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të radhës të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare (KOLM), ku u diskutuan përgatitjet dhe projektet prioritare për organizimin e këtij eventi të madh sportiv.

Sipas Kurtit, në takim është riafirmuar se Lojërat do ta ruajnë shtrirjen e përcaktuar në Librin e Kandidaturës, ku përveç Prishtinës janë përfshirë edhe Peja, Gjakova, Prizreni, Drenasi, Skenderaj dhe komuna të tjera.

Ky koncept ishte pjesë e propozimit të Kosovës që nga aplikimi dhe, sipas kryeministrit, pikërisht me këtë plan vendi fitoi të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.

Shtrirja e garave nëpër komuna dhe shfrytëzimi i objekteve sportive do të pasqyrohen në rishikimin e draftit të Masterplanit, i cili ende është në shqyrtim. Në këtë planifikim do të përfshihen edhe investimet që tashmë janë duke u realizuar në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, palestrën “Sezai Surroi” në Prizren dhe palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.

Në fokus të takimit ishin edhe projektet prioritare, për të cilat u theksua nevoja që puna të vazhdojë me ritëm të shtuar. Ndër to janë Qendra e Studentëve, e cila pritet të shërbejë si Fshat i Atletëve, Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Qendra Akuatike dhe Qendra Nacionale e Tenisit.

Po ashtu, u ritheksua rëndësia e Stadiumit Nacional si projekt shtetëror për zhvillimin e sportit në Kosovë.

Sa i përket ceremonive të hapjes dhe mbylljes, në takim u shqyrtua edhe mundësia e shfrytëzimit të stadiumit “Fadil Vokrri”, me kapacitet të shtuar. Për këtë çështje do të vlerësohen kërkesat organizative dhe afatet e nevojshme për përgatitjen e stadiumit.

Një tjetër vendim i takimit ishte që Komiteti Organizativ të paraqitet me një qëndrim të përbashkët në takimin e ardhshëm me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, ku do të prezantohen hapat e mëtejmë në përgatitjet për edicionin e vitit 2030.

Anëtarët e KOLM-it shprehën përkushtimin për organizimin e suksesshëm të Lojërave, të cilat synohet të shërbejnë jo vetëm si një ngjarje e rëndësishme sportive, por edhe si mundësi për zhvillimin e infrastrukturës dhe promovimin ndërkombëtar të Kosovës./Telegrafi/