Avokati i Popullit, Naim Qelaj, gjatë raportimit sot në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, ka deklaruar se Gjykata Speciale në Hagë ka dështuar garantimin dhe respektimin e standardeve për një gjykim të drejtë në rastin e katër ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas Qelajt, me këtë veprim Gjykata Speciale i ka shkelë të drejtat e njeriut, dhe sipas tij, kur një gjë të tillë e thotë Avokati i Popullit i një vendi, ai nuk guxon ta thotë pa një analizë dhe pa një vlerësim të krejt situatës, raporton KosovaPress.
“Mendoj që Dhomat e Specializuara në Hagë kanë dështuar për të garantuar respektimin e standardeve për një gjykim të drejtë. Me këtë i kanë i kanë shkelë të drejtat e njeriut. Dhe kur e thotë Avokati i Popullit i një vendi këtë fakt, nuk guxon me e thënë pa një analizë dhe pa një vlerësim të krejt situatës që ai ka mund ta bëjë. A ka kompetenca që ta bëjë Avokati i Popullit apo jo është fare e parëndësishme karshi konstatimeve që unë i bëjë dhe nuk kemi marrë përgjigje deri sot. Përveç sfilatave vizuale të kryetares së Gjykatës Speciale kur na ka treguar se sa e mirë është kjo gjykatë dhe si i respekton standardet e të drejtave të njeriut, asnjë sqarim në çështjet që unë i kam ngritur tash e sa vite nuk e kam marrë prej kësaj gjykate”, tha Qelaj.
Ai u shpreh se sa herë ka reaguar për shkeljen e të drejtave të njeriut për ish-krerët e UÇK-së që janë në Hagë, i është thënë se ‘nuk ke mandat’, dhe siç u shpreh ai kjo ka qenë e pandershme, gjë të cilën ia ka thënë edhe kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilovës.
Qelaj tha se shqetësues për të ka qenë edhe reagimi i faktorit ndërkombëtar, duke u shprehur se krejt thirrjet “mos ndërhyni në drejtësi” janë bërë qëllimisht, në mënyrë që të mos ketë transparencë në lidhje me atë çka ka ndodhur.
“Sa herë e kam hapur gojën, më është thënë se ‘nuk ke mandat’. Për mua kjo ka qenë e pandershme, mungesë respekti dhe këtë ia kam thënë në takimin e 13 majit që e kam pas në zyrë me kërkesë të saj. Nuk mundet askush të vijë në një institucion të Kosovës dhe të thirret si autoritet i Kosovës t’i tregoj kufijtë dhe limitet se deri ku mund të shkojë ushtrimi i kontrollit dhe mbikëqyrjes së respektimit të të drejtave të njeriut. Kushdo që merret me të drejtat e njeriut e di se ato janë universale. Për mua më shqetësues ka qenë fakti i reagimeve të faktorëve ndërkombëtarë sepse nuk kanë arritur ta kuptojnë sepse s’kanë dashur ta kuptojnë këtë fakt, por gjithmonë janë thirrur që të mos ndërhyhet në drejtësi, e unë kurrë këtë nuk e kam bërë. Por, sa duket që krejt thirrjet ‘mos ndërhyni në drejtësi’, janë bërë me qëllim që të mos ketë transparencë në raport me atë çka ka ndodhur”, tha ai.
Gjykata Speciale në Hagë ka dënuar më 16 shtator me gjithsej 81 heqje lirie katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin (25 vjet), Kadri Veselin (18 vjet), Jakup Krasniqin (25 vjet) dhe Rexhep Selimi (13).
Kuvendi i Kosovës ka miratuar më 28 shtator një deklaratë me të cilën kundërshtohet aktgjykimi i padrejtë ndaj krerëve të UÇK-së.
Qeveria e Kosovës më 14 tetor ka marrë vendim për formimin e Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë. /KP/