
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tash e rreth dy orë ndodhet në objektin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ku po intervistohet lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.
Intervistimi i tij lidhet me dyshimet për parregullsi në tenderin me vlerë prej 12 milionë eurosh, ndonëse Prokuroria ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht në çfarë cilësie është thirrur Rama.
Sipas raportimeve në media, ai është ftuar për intervistim në cilësinë e të dyshuarit. Dyshimet që lidhen me këtë projekt kanë të bëjnë me procedurat e prokurimit publik, vlerën e kontratës, si dhe pretendimet për manipulim të stafit dhe konflikt interesi.
Komuna e Prishtinës, më 22 korrik 2022, kishte hapur tenderin për “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit”, me vlerë të parashikuar prej 12 milionë eurosh dhe kohëzgjatje prej 36 muajsh.
Para hyrjes në Prokurori, Rama kishte deklaruar se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa organeve të drejtësisë u takon të verifikojnë ligjshmërinë e veprimeve.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka njoftim zyrtar për përfundimin e intervistimit apo për ndonjë vendim të Prokurorisë Speciale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali