Man City rrezikon dënimin historik, zbulohet ndëshkimi i rëndë që mund ta presë

Man City rrezikon dënimin historik, zbulohet ndëshkimi i rëndë që mund ta presë

Written by

in

Manchester City mund të përballet me një zbritje masive pikësh, pasi komisioni i pavarur e shpalli fajtor për shkeljen e 114 rregullave të Ligës Premier muajin e kaluar.

Sipas raportimeve, klubi anglez dyshohet se ka përdorur marrëveshje sponsorizimi fiktive për të rritur të ardhurat me rreth 1.045 miliardë euro gjatë periudhës 2009–2018, kur fitoi tre tituj të Ligës Premier.

City ka këmbëngulur vazhdimisht në pafajësinë e tij gjatë procesit që ka zgjatur tre vjet e gjysmë, duke pretenduar se posedon prova “të pakundërshtueshme” për ta mbështetur mbrojtjen. Megjithatë, nëse vendimi për fajësi mbetet në fuqi, dënimi mund të përcaktohet deri më 8 shkurt.

Masat e mundshme ndëshkuese përfshijnë gjoba, ndalim të transferimeve, zbritje pikësh, përjashtim nga liga dhe heqje të titujve të fituar. Gjithashtu, pronarët e klubit mund të largohen nga drejtimi përmes ndërhyrjes së Rregullatorit të Pavarur të Futbollit.

Manchester City është i gatshëm të shfrytëzojë “çdo rrugë ligjore” për t’i shmangur ndëshkimet, ndërsa Liga Premier po synon që masa ndëshkuese të zbatohet para përfundimit të sezonit 2026/27.

Disa kanë kërkuar që klubi të ndëshkohet me zbritje pikësh në disa sezone radhazi. Megjithatë, burime nga Federata Angleze e Futbollit (FA) dhe Liga Premier sugjerojnë se skenari më i mundshëm është një zbritje pikësh brenda një sezoni, e cila do t’i linte Cityt mundësinë për të luftuar për mbijetesë në elitë.

Sipas burimeve të Football Insider, një zbritje prej 40 deri në 50 pikësh vetëm për një sezon po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një skenar i mundshëm.

Përveç kësaj, City pritet të përballet edhe me një ndalim të zgjatur të transferimeve dhe një gjobë jashtëzakonisht të lartë, sipas të njëjtit raportim.

Klubi do të ketë të drejtë të apelojë masat ndëshkuese pasi të bëhet publik vendimi. Nëse vlerëson se procesi ka pasur parregullsi, mund të kërkojë arbitrazh dhe më pas ta dërgojë çështjen në Gjykatën e Lartë.

Nëse Liga Premier vendos ta ndëshkojë Cityn me 50 pikë zbritje brenda një sezoni, kjo do të ishte zbritja më e madhe e pikëve në historinë e futbollit anglez.

Aktualisht, rekordin e mban Luton Town, të cilit iu zbritën 30 pikë në sezonin 2008/09, pas rënies nga League One në edicionin paraprak./Telegrafi/