
Barcelona ka nisur të shqyrtojë mundësitë për përforcimin e repartit defensiv gjatë afatit kalimtar të janarit, me synimin për të transferuar një qendërmbrojtës që mund të përshtatet menjëherë me stilin e lojës së trajnerit Hansi Flick, raporton eksperti i transferimeve Matteo Moretto.
Problemet me lëndimet dhe mungesa e alternativave të mjaftueshme në mbrojtje kanë nxjerrë në pah dobësitë e skuadrës katalunase, veçanërisht pas dy humbjeve të fundit ndaj Paris Saint-Germainit dhe Real Madridit.
Për këtë arsye, drejtuesit e Barcelonës synojnë ta përforcojnë mbrojtjen që në afatin kalimtar të janarit. Një nga emrat që po shqyrtohet është qendërmbrojtësi brazilian i Real Betisit, Natan.
Mbrojtësi ka treguar vazhdimësi në paraqitjet e tij me skuadrën nga Sevilja, ndërsa emri i tij ishte në radarët e Barcelonës edhe gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar.
Një tjetër faktor që mund ta lehtësojë transferimin e tij është dëshira e Natanit për të siguruar pasaportën spanjolle. Në rast se e merr atë, Barcelona do të mund ta regjistrojë pa shfrytëzuar një nga vendet e rezervuara për futbollistët jashtë Bashkimit Evropian.
Megjithatë, Natan nuk është i vetmi emër në listën e katalunasve. Sipas Morettos, një tjetër objektiv i mundshëm mbetet Alessandro Bastoni i Interit, të cilin Barcelona kishte tentuar ta transferonte edhe gjatë afatit kalimtar të verës.
“Bastoni dhe Interi janë të kënaqur me njëri-tjetrin, por, duke parë drejt verës së ardhshme, nëse vjen një ofertë shumë e lartë, Interi mund ta shqyrtojë atë dhe ta lejojë largimin e tij”, deklaroi Moretto.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali