Avokati Adrianit Ibrahimi ka vlerësuar se Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës pas shqyrtimit të dytë, ende nuk është i gatshëm të hyjë në fuqi në formën aktuale.
Ibrahimi, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, ka thënë se këtë herë Gjykata Kushtetuese duhet të shqyrtojë jo vetëm procedurën e miratimit, por edhe përmbajtjen e dispozitave të ligjit.
“Herën e fundit kur është kthyer prapa nga Gjykata Kushtetuese, arsyeshmëria e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është manifestuar në kuptim të procedurës së miratimit dhe GjK-ja nuk është lëshuar në shqyrtimin meritor të përmbajtjes së dispozitave të këtij ligji. Mendoj që kësaj radhe ka ardhur koha që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë në kuptimin e përmbajtjes së dispozitave dhe meritave të këtij ligji”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka theksuar se Kosova ka mundësi të kalojë në sistemin e konfiskimit civil të pasurisë, por sipas tij, ky sistem duhet të ndërtohet në mënyrë të drejtë dhe të rregullt, duke marrë për bazë përvojat e shteteve që e kanë zbatuar me sukses.
“Sa i përket ligjit, ne disa herë kemi thënë që Kosova e ka një mundësi të mirë që të kalojë në sistemin e konfiskimit civil, por sistemi i konfiskimit civil duhet të bëhet në mënyrë të drejtë dhe të rregullt, ashtu siç kanë vepruar shtetet tjera që e kanë implementuar me sukses këtë sistem, si Italia, Anglia, Bullgaria e Irlanda”, është shprehur ai.
Ibrahimi ka ngritur gjithashtu shqetësime lidhur me përmbajtjen e ligjit, duke vlerësuar se, ndonëse ai dallon nga draftet e mëhershme, ende ka paqartësi që mund të shkaktojnë probleme gjatë zbatimit.
“Nëse e analizojmë përmbajtjen e ligjit, ky ligj e ka një dallim prej drafteve më herët që kanë qenë, por mendoj që ende nuk është i gatshëm për të hyrë në fuqi në formën që është miratuar”, ka deklaruar avokati.
Një prej dilemave që ai ka ngritur lidhet me ekzistimin paralel të sistemit aktual të konfiskimit të pasurisë dhe sistemit të ri të konfiskimit civil.
Ai ka shpjeguar se Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë i jep të drejtë Prokurorit të Shtetit që deri në pesë vjet pas një vendimi të formës së prerë për shpalljen fajtor të një personi, të iniciojë procedurë për konfiskimin e pasurisë që dyshohet se është përfituar përmes veprës penale për të cilën ai është dënuar.
“Ky ligj që synon të implementojë sistemin e konfiskimit civil nuk e shfuqizon në dispozitat kalimtare sistemin aktual të konfiskimit. Problematikat që mund të lindin në praktikë janë që të fillojnë procedurat e konfiskimit edhe sipas ligjit të vjetër, edhe sipas këtij ligji”, ka theksuar Ibrahimi.
Burimi: Dukagjini
