Meta do t’i njoftojë prindërit nëse adoleshentët kërkojnë përmbajtje për vetëvrasje dhe vetëlëndim

Meta do t’i njoftojë prindërit nëse adoleshentët kërkojnë përmbajtje për vetëvrasje dhe vetëlëndim

Written by

in

Meta do t’i njoftojë prindërit nëse adoleshentët kërkojnë përmbajtje për vetëvrasje dhe vetëlëndim

Kompania Meta do të nisë t’i njoftojë prindërit kur fëmijët e tyre adoleshentë kërkojnë vazhdimisht përmbajtje që lidhet me vetëlëndimin ose vetëvrasjen në Facebook, me synimin që situatat e mundshme të rrezikut të identifikohen sa më herët.

Sistemi i ri do të funksionojë përmes mjeteve të mbikëqyrjes prindërore dhe do të përfshijë aktivitetin e adoleshentëve jo vetëm në Facebook, por edhe në bisedat me inteligjencën artificiale Meta AI, si dhe në platformat Instagram dhe Messenger.

Sipas kompanisë, prindërit do të marrin paralajmërim në rastet kur adoleshentët kryejnë disa kërkime të lidhura me vetëvrasjen ose vetëlëndimin brenda një periudhe të shkurtër kohore. Njoftimet do të dërgohen përmes mesazheve telefonike, emailit, WhatsApp-it ose drejtpërdrejt në aplikacion.

Megjithatë, Meta ka bërë të ditur se paralajmërimet nuk do të përmbajnë fjalët e sakta që adoleshentët kanë kërkuar dhe as përmbajtjen e bisedave të tyre me inteligjencën artificiale.

Në vend të kësaj, prindërit do të informohen për shqetësimin e mundshëm dhe do të marrin udhëzime se si të bisedojnë me fëmijët e tyre për këto tema të ndjeshme.

Përveç njoftimeve, kompania do t’u ofrojë prindërve edhe materiale informuese dhe këshilla të përgatitura nga ekspertë, në mënyrë që t’i ndihmojë të kuptojnë më mirë situatën dhe të ofrojnë mbështetjen e nevojshme për fëmijët.

Kjo nismë vjen pas prezantimit të një sistemi të ngjashëm në Instagram në fillim të këtij viti. Me zgjerimin e masës edhe në Facebook dhe Meta AI, kompania synon të forcojë mekanizmat e sigurisë për përdoruesit e mitur në platformat e saj.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali