
Nesër bëhet një javë nga vrasja e Arlinda Zekajt, në Vitomiricë të Pejës. Kunati i saj, Albert Sylaj, dyshohet se ia mori jetën me sëpatë, para syve të djalit të saj, në shenjë hakmarrjeje.
Shteti dështoi në mbrojtjen e saj. Arlinda kishte kërkuar ndihmë në disa institucione, duke paralajmëruar se një ditë mund të vritej, por thirrjet e saj nuk morën përgjigjen e duhur.
Ajo sot nuk jeton më, por pas la dëshmi për atë që kishte përjetuar, dhimbjen e përditshme dhe neglizhencën institucionale, raporton Klankosova.tv
Arlinda u vra mbrëmjen e 25 tetorit, pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi e shoqëruar nga Policia e Kosovës, pasi kishte denoncuar ish-bashkëshortin për dhunë në familje.
I dyshuari për vrasjen, Albert Sylaj, u arratis pas kryerjes së krimit, por u arrestua më 28 tetor. Në paraburgim përfundoi edhe vëllai i tij, ish-bashkëshorti i Arlindës, Jeton Sylaj.
Pas rastit pasuan disa suspendime dhe një dorëheqje.
Më 29 tetor, u rekomandua suspendimi i 11 zyrtarëve policorë. Po ashtu, u suspenduan kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurorja e rastit, Arlinda Nallbani-Gacaferri.
Ndërkaq, të enjten, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje nga detyra.
Por të veprojnë njëjtë nuk e kanë ndërmend dy ministrat e Albin Kurtit.
Ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ne konferencën për media të së premtes, bënë të ditur se nuk do të japin dorëheqje, përkundër kërkesave të shumta.
Protesta u mbajtën në Prishtinë e qytete tjera, me kërkesa të qarta, drejtësi për Arlindën dhe shkarkime të përgjegjësve./Klankosova.tv