Bordi Ekzekutiv i Bankës Popullore të Serbisë ka marrë vendim për revokimin e licencës së punës së ALTA Bankës a.d. në Beograd.
“Bordi Ekzekutiv ka konstatuar se revokimit të licencës i kanë paraprirë aktivitetet mbikëqyrëse, të cilat kishin për qëllim rritjen e nivelit të likuiditetit të bankës. Është konstatuar se gjendja financiare e bankës është përkeqësuar ndjeshëm gjatë periudhës së kaluar dhe se ekziston mundësia e përkeqësimit të mëtejshëm të gjendjes financiare ose të likuiditetit të saj. Për pasojë, janë vënë në rrezik interesat e depozituesve të bankës. Duke pasur parasysh se janë plotësuar kushtet ligjore për revokimin e licencës së punës së bankës, në përputhje me Ligjin për Bankat, Banka Popullore e Serbisë ka marrë këtë vendim me qëllim të mbrojtjes së interesave të depozituesve dhe ruajtjes së stabilitetit të sistemit financiar. Agjencia për Sigurimin e Depozitave do të mundësojë, brenda shtatë ditëve të punës, pagesën e shumave të siguruara dhe qasjen e depozituesve në mjetet e tyre, në përputhje me Ligjin për Sigurimin e Depozitave”, njofton Banka Popullore të Serbisë.
Ndryshe vendimi për mbylljen e bankës vjen pas disa ditësh polemikash për operacionet e saj financiare.
Sipas raportimeve, në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut janë ngritur dyshime për transferimin e mbi 50 milionë eurove nga Alta Banka drejt Maqedonisë së Veriut, me pretendime se Shkupi mund të shërbente si pikë kalimi për transferimin e mëtejshëm të parave drejt Moskës.
N1 raportoi se avokati serb Ivan Niniç kishte ngritur dyshime për transferime të përshpejtuara të kapitalit likuid drejt llogarive dhe subjekteve juridike në Moskë dhe Shkup, duke filluar nga 26 tetori. Niniç nuk e kishte identifikuar fillimisht bankën, ndërsa emri i Alta Bankës u përmend më vonë në raportimet mediatike.
Burimi: RTKLive
