Nëntë familje të zhvendosura nga veriu i Mitrovicës, të cilat pas luftës ndërtuan shtëpitë e tyre në Zonën Industriale në jug të qytetit, janë në kontest gjyqësor me ndërmarrjen Infrakos për pronësinë e parcelave ku jetojnë prej më shumë se dy dekadash.
Banorët pretendojnë se janë vendosur në këtë zonë ndërmjet viteve 2000 dhe 2003, pasi kishin mbetur pa shtëpitë e tyre në veri të Mitrovicës. Sipas tyre, për shumë vite nuk kanë pasur konteste lidhur me qëndrimin në këtë pronë, deri në vitin 2024, kur Infrakos u kërkoi lirimin e saj.
Agim Boletini, njëri nga banorët, ka deklaruar se familjet janë detyruar të ndërtojnë shtëpitë në këtë zonë pasi nuk kishin ku të vendoseshin pas luftës.
“Ne jemi vendosur këtu menjëherë pas luftës, prej vitit 2000 deri në vitin 2003. Këtu i kemi vendosur shtëpitë. Ne këtu jemi krejt të pjesës veriore. Shtëpitë në veri i kemi, dikush banesat e uzurpuara i ka pasur, unë e kam hala pronën e shkatërrume, të kalltë, edhe jemi vendosur këtu sepse nuk kemi pasur ku me shku”, ka thënë Boletini.
Ai pretendon se familjet kanë paguar për vite me radhë energjinë elektrike, ujin dhe tatimin në pronë, ndërsa thotë se nuk kanë qenë në dijeni për pretendimet pronësore të Infrakos-it.
Boletini ka bërë të ditur se në vitin 2023 kanë aplikuar për legalizimin e shtëpive, ndërsa një vit më vonë kanë marrë njoftim nga Infrakos për lirimin e pronës brenda 14 ditësh.
Sipas tij, kontesti lidhet me disa parcela kadastrale, për të cilat ai pretendon se një pjesë është privatizuar për periudhë 99-vjeçare, ndërsa për parcelën ku ndodhen shtëpitë e tyre kontestohet pronësia e ndërmarrjes.
“Lëndën në gjyq e ka vendosur Infrakos e tash jemi në proces”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, nga Infrakos kanë thënë për KosovaPress se parcelat kadastrale 02688-4 dhe 02688-1 figurojnë të regjistruara në kadastër në emër të ndërmarrjes, gjë që, sipas tyre, dëshmohet përmes certifikatave përkatëse të pronësisë.
Nga kjo ndërmarrje kanë bërë të ditur se kërkesat për rregullimin e marrëdhënieve juridike me shfrytëzuesit e pronave dhe lirimin e tyre në rastet kur nuk arrihet marrëveshje datojnë para vitit 2010.
“Infrakos, përmes procedurave ligjore, kërkon lirimin e pronës publike (shtetërore), ndërsa kërkesat tjera aksesore që ndërlidhen me periudhën e shfrytëzimit trajtohen gjatë procedurave ligjore dhe vlerësohen nga Gjykata”, thuhet në përgjigjen e ndërmarrjes.
Infrakos ka theksuar gjithashtu se gjatë viteve të fundit ka intensifikuar aktivitetet për identifikimin e pronave që shfrytëzohen pa kontrata të vlefshme të qirasë dhe për ndërmarrjen e masave ligjore për mbrojtjen e tyre.
Sipas ndërmarrjes, banorët janë njoftuar përmes takimeve, komunikimeve verbale dhe njoftimeve me shkrim lidhur me statusin juridik të pronës dhe nevojën për rregullimin e marrëdhënieve me të.
Infrakos ka bërë të ditur se veprimet e saj mbështeten në Ligjin për Hekurudhat e Kosovës, konkretisht në nenet 45 dhe 128, të cilat, sipas saj, përcaktojnë përgjegjësitë për administrimin dhe mbrojtjen e aseteve hekurudhore.
Çështja tashmë është në procedurë gjyqësore, ndërsa vendimi përfundimtar lidhur me kontestin pronësor pritet të sqarohet përmes institucioneve kompetente. /Kp/