
Një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e një sulmi në një qendër strehimi për emigrantë në Irlandë, të shtunën në mëngjes.
Viktima u gjet me lëndime të rënda në qendrën e Shërbimeve të Akomodimit të Mbrojtjes Ndërkombëtare (IPAS), në Tralee, por, pavarësisht ndërhyrjes, ndërroi jetë pak kohë më vonë.
Sipas një zëdhënësi të Gardës, autoritetet morën raportimin për sulmin rreth orës 05:20, në një objekt banimi në Ballymullen. Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, zyrtarët gjetën një burrë të rritur me lëndime të rënda.
“Me të mbërritur, zbuluan një mashkull të rritur me lëndime të rënda; ai u shpall i vdekur pak kohë më vonë”, thuhet në njoftim.
Gjatë incidentit është plagosur edhe një person tjetër, rreth të 40-ave, i cili është dërguar për trajtim në Spitalin Universitar të Kerry-t. Sipas autoriteteve, lëndimet e tij nuk besohet të jenë kërcënuese për jetën.
Ndërkohë, një person i dyshuar për sulmin, gjithashtu rreth të 40-ave, është arrestuar pas incidentit.
Rrethanat dhe motivet e sulmit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali