De Biasi rrëfen historinë e tij me Shqipërinë: I solla kosovarët dhe ua mbolla në mendje se mrekullia ishte e mundur

De Biasi rrëfen historinë e tij me Shqipërinë: I solla kosovarët dhe ua mbolla në mendje se mrekullia ishte e mundur

Written by

in

Trajneri italian, Gianni De Biasi ka rikthyer në kujtesë një nga periudhat më historike të futbollit shqiptar, duke rrëfyer rrugëtimin që e çoi nga një periudhë zhgënjyese në Itali drejt stolit të Kombëtares së Shqipërisë dhe më pas te kualifikimi i jashtëzakonshëm në Euro 2016.

Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, protagonist në emisionin radiofonik “Storie di Calcio” të mediumit italian Tuttomercatoëeb.com, ka treguar se fillimisht as që e kishte menduar se aventura e tij e radhës do të ishte pikërisht me Shqipërinë.

“Pata një përvojë zhgënjyese te Udinese dhe thashë se nuk doja më të punoja në Itali. Pastaj mora një ofertë nga Shqipëria. Shkova në Milano për t’u takuar me drejtuesit. Një gazetar më vonë më tha se më kishin zgjedhur, por nuk isha i gatshëm. Lecce më donte në Serie A, por do ta kisha shkelur fjalën. Në fund, arritëm një marrëveshje dhe fillova udhëtimin tim si trajner”, ka deklaruar fillimisht De Biasi.

Një udhëtim që do të zgjaste gjashtë vjet dhe do të ndryshonte përgjithmonë historinë e Kombëtares shqiptare. De Biasi mori drejtimin e Shqipërisë në një periudhë ndryshimesh të mëdha, kur skuadra po kërkonte identitetin e saj dhe një brez i ri futbollistësh po trokiste në dyert e Kombëtares.

“Arrita në një kohë ndryshimi brezash. Shkova pa menduar, por doja të kthehesha në rrugën e duhur. Në dy vitet e para, ia dolëm mjaft mirë, pastaj në dy vitet e dyta, arritëm ta rrisnim nivelin”.

Shqipëria në Euro 2016 e mbushur me lojtarë nga Kosova

Por një nga momentet më domethënëse të rrëfimit të tij lidhet pikërisht me futbollistët shqiptarë nga Kosova, të cilët në atë periudhë ende nuk kishin mundësi të përfaqësonin Kosovën, pasi nuk njihej nga FIFA.

Trajneri italian theksoi se ardhja e tyre ishte një nga elementet që e ndihmoi Shqipërinë të rritej ndjeshëm, si në numër ashtu edhe në cilësi, duke ndërtuar gradualisht ekipin që do të shkruante historinë.

“Arrita t’i sillja kosovarët, të cilët ende nuk ishin njohur nga FIFA, në ekipin kombëtar. U rritëm në sasi dhe cilësi dhe arrita t’u ngulit në mendje idenë se një mrekulli ishte e mundur, duke kulmuar me kualifikimin për Euro 2016”, përfundoi trajneri italian.

Dhe pikërisht ajo “mrekulli” u bë realitet.

Nga një Kombëtare që për dekada të tëra kishte mbetur larg skenës së madhe, Shqipëria nën drejtimin e De Biasit arriti kualifikimin historik në Kampionatin Evropian të vitit 2016, duke marrë pjesë për herë të parë në një turne madhor. /Telegrafi/