
Dy shtetas kosovarë nga Vushtrria janë arrestuar në pikën kufitare të Morinës, në Kukës, pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania, ku janë dënuar me nga 15 vjet burgim secili për vjedhje me dhunë dhe dëmtim prone.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit të Shqipërisë, të arrestuarit janë G. M., 22 vjeç, dhe F. B., 24 vjeç, të dy banues në Vushtrri.
Ata u kapën nga shërbimet e Policisë Kufitare Morinë në kuadër të operacionit “Wanted”, pas kërkimit ndërkombëtar të shpallur nga Interpol Wiesbaden në Gjermani.
Gjykata e Erfurtit, më 1 qershor 2026, i kishte dënuar secilin me nga 15 vjet burgim për veprat penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Dëmtim prone”, të parashikuara nga Kodi Penal gjerman.
Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Wiesbaden, po vijon procedurat për ekstradimin e tyre drejt Gjermanisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali
