Në episodin e radhës të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir është ish-futbollisti i njohur kosovar Ahmet Haliti, i cili rikthen kujtimet nga karriera e tij si futbollist dhe flet për rrugëtimin e ri në futboll, tashmë në rolin e ndihmës trajnerit te Ballkani. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.
Gjatë bisedës, Haliti rrëfen se si nisi rrugëtimi i tij në futboll, ku u formua si lojtar dhe cilët persona patën ndikimin më të madh në hapat e parë të karrierës. Ai ndalet te periudha e kaluar te Hysi, ku përjetoi suksese dhe fitoi trofe, duke shpjeguar rëndësinë që pati ky klub në zhvillimin e tij si futbollist.
Një pjesë e rëndësishme e intervistës i kushtohet aventurave te Prishtina dhe Feronikeli, dy klube ku Haliti luajti në periudha të ndryshme të karrierës. Ai kujton emocionet e veshjes së fanellës së Prishtinës, presionin për të arritur rezultate me një klub me histori të madhe, si dhe përvojat nga paraqitjet në garat evropiane. Po ashtu, flet për kohën te Feronikeli, Llapin dhe Trepçën ’89, duke veçuar përjetimet dhe dallimet mes këtyre ambienteve.
Haliti ndalet edhe te përvoja jashtë Kosovës, ku luajti për Besën dhe Bylisin në Shqipëri. Ai tregon se si erdhi kalimi në futbollin shqiptar dhe cilat ishin dallimet kryesore që vërejti mes futbollit në Kosovë dhe atij në Shqipëri.
Në këtë bisedë, ish-mbrojtësi rikthen edhe sukseset e arritura gjatë karrierës, përfshirë trofetë me Hysin, Prishtinën dhe Llapin. Ai flet për cilësitë që e karakterizonin si futbollist, përgjegjësitë e rolit të mbrojtësit dhe sulmuesin më të vështirë me të cilin është përballur gjatë karrierës.
Një tjetër temë e rëndësishme është vendimi për t’i dhënë fund karrierës si futbollist në moshën 36-vjeçare. Haliti shpjegon se si erdhi ky vendim, sa e vështirë ishte largimi nga fusha dhe kur lindi ideja për të vazhduar rrugëtimin në futboll si trajner.
Pas pensionimit, hapat e parë në këtë drejtim i bëri si ndihmës trajner te Vëllaznimi dhe më pas te Dukagjini. Ai rrëfen sfidat e kalimit nga futbollist në trajner dhe përvojat e fituara gjatë këtyre angazhimeve, përpara se t’i bashkohej Ballkanit, ku tashmë është pjesë e shtabit teknik të një klubi që ka krijuar standarde të larta në futbollin kosovar.
Në pjesën e fundit të bisedës, Haliti flet për ndikimin që ka pasur karriera e tij si futbollist në punën e sotme me lojtarët, mënyrën se si i kupton vështirësitë e tyre dhe raportin me shtabin teknik të Ballkanit. Ai gjithashtu tregon për ambiciet e tij në këtë profesion dhe nëse synon që një ditë të marrë drejtimin e një skuadre si trajner i parë.
Episodin e plotë me Ahmet Halitin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com