
Një mjek në Ferizaj, që po kujdesej për trajtimin e një pacienti në gjendje të dehur, dyshohet se është sulmuar me grusht nga djali i pacientit, i cili ishte i pakënaqur me mënyrën se si po trajtohej prindi i tij. Ngjarja ka ndodhur brenda shërbimit emergjent të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ku ndërhyrja e personave të pranishëm ka penguar përshkallëzimin e mëtejshëm të incidentit.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se i dyshuari është Endrit Jashari, 26 vjeçar, ndërsa mjeku që ka qenë viktimë sulmin është F.F, 32 vjeçar.
Incidenti ka ndodhur pas mesnatës, më 1 nëntor, rreth orës 00:30, në Emergjencën e QKMF-së në Ferizaj.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në Emergjencë kishin arritur dy persona, njëri prej të cilëve kishte nevojë për ndihmë mjekësore për shkak të gjendjes së dehur.
Personi tjetër ishte djali i tij, Endrit Jashari, i cili, sipas deklarimit të mjekut, kishte filluar të ushtronte presion ndaj stafit shëndetësor, duke shprehur pakënaqësi me trajtimin që po i ofrohej prindit.
Edhe pse pacientit po i ofrohej ndihma mjekësore, Jashari dyshohet se kishte vazhduar me fjalë fyese dhe vulgare ndaj personelit.
Situata është tensionuar edhe më shumë kur stafit i është dashur t’i kërkojë disa herë të qetësohej dhe të largohej nga dhoma ku po trajtohej pacienti, pasi, sipas deklarimeve, po pengonte punën e mjekëve.
Por në ato momente, sipas mjekut dhe një dëshmitari, ka ndodhur edhe sulmi fizik.
Jashari dyshohet se e ka goditur papritur me grusht mjekun F. F. në anën e majtë të fytyrës, derisa ky i fundit ishte në kryerje të detyrës.
Një person i pranishëm ka ndërhyrë menjëherë dhe ka arritur ta largojë të dyshuarin, ndërsa për incidentin është njoftuar Policia.
Njësitë policore kanë mbërritur në vendngjarje dhe e kanë arrestuar Jasharin, i cili është shoqëruar në Stacionin Policor në Ferizaj.
Sipas informacioneve fillestare, mjeku nuk ka pësuar lëndime të konstatuara dhe nuk ka kërkuar trajtim mjekësor pas incidentit.
Pas konsultimit me Prokurorinë, ndaj Endrit Jasharit është iniciuar rasti për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe është urdhëruar ndalimi i tij për 48 orë.
Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali