Rritja e eksportit dhe zëvendësimi i importeve, Kurti tregon planin e Qeverisë në takim me biznese

Rritja e eksportit dhe zëvendësimi i importeve, Kurti tregon planin e Qeverisë në takim me biznese

Written by

in

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria synon të rrisë prodhimin vendor dhe të zvogëlojë varësinë nga importet, përmes Planit Një Miliard Euro.

Në një njoftim të publikuar në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se në kuadër të takimeve të formatit Data4Breakfast, gjatë tri mëngjeseve të punës, janë zhvilluar diskutime me përfaqësues të bizneseve të tregtisë me pakicë, përpunimit të ushqimit dhe prodhimit të pijeve joalkoolike.

Sipas Kurtit, sektori i pijeve përfaqëson një shembull konkret të potencialit prodhues dhe eksportues të Kosovës.

“Zgjerimi i mëtejshëm kërkon kushte që u mundësojnë kompanive të investojnë, të prodhojnë dhe të depërtojnë në tregje të reja”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se një nga synimet kryesore të Qeverisë është zëvendësimi i produkteve të importuara me produkte të prodhuara në vend.

“Përmes Planit Një Miliard Euro, synojmë të zëvendësojmë importet me prodhim vendor”, ka deklaruar kryeministri.

Kurti ka prezantuar edhe të dhëna për rritjen e eksporteve, duke thënë se krahasuar me vitin 2021, eksporti është rritur për 27,5 për qind, apo katër herë më shpejt se importi.

Duke folur për fuqinë blerëse dhe zhvillimin ekonomik, ai ka përmendur edhe rritjen e pagës minimale nga 170 në 500 euro, si dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe punësimin e të rinjve.

“Pagat më të mira dhe më shumë vende pune krijojnë edhe më shumë fuqi blerëse për produktet vendore”, ka theksuar Kurti.

Në fund, kryeministri ka vënë theksin edhe te konkurrenca e drejtë në treg, duke kërkuar zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe zbatim të rregullave të barabarta për të gjitha bizneset.

“Në treg fitohet me produkt e cilësi, prandaj zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe rregulla të barabarta për të gjithë”, ka shkruar ai.

Kurti ka bërë të ditur se në vitin 2027 do të zhvillohen sërish takime me bizneset, ku do të vlerësohen rezultatet e arritura dhe përparimi në këtë drejtim. /Telegrafi/