
Një ngjarje e rëndë është zbuluar mëngjesin e sotëm në fshatin Demiraj, ku një burrë i ri dhe një foshnjë janë gjetur të pajetë brenda një shtëpie. Vdekja e tyre, në rrethana ende të pasqaruara, ka mobilizuar Policinë, hetuesit rajonalë, forenzikën dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se bëhet fjalë për A.D. 27 vjeçar dhe D.D., një foshnjë e gjinisë femërore, e lindur gjatë vitit 2026.
Gjithçka është raportuar këtë të diel, më 1 nëntor, rreth orës 08:47, kur Policia ka pranuar një informacion shqetësues se brenda një shtëpie në Demiraj ndodheshin dy persona që dyshohej se kishin ndërruar jetë.
Menjëherë drejt vendngjarjes janë nisur patrullat policore dhe një ekip i Emergjencës.
Dyshimet më të këqija janë konfirmuar nga personeli mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e të dy personave.
Pas këtij konstatimi, në vendngjarje kanë dalë hetuesit e Stacionit Policor në Gjilan, njësitë rajonale të hetimeve dhe forenzika, ndërsa në lokacion ka qenë e pranishme edhe Prokuroria e Shtetit.
Për rastin është njoftuar edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, ekipi i të cilit ka dalë në vendngjarje.
Ajo që mbetet ende e paqartë është se çfarë ka ndodhur brenda shtëpisë dhe si kanë humbur jetën 27-vjeçari dhe foshnja.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë konfirmuar shkakun e vdekjes apo ndonjë rrethanë tjetër që do të shpjegonte këtë ngjarje.
Rasti po trajtohet si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa hetimet dhe ekzaminimet në vendngjarje po vazhdojnë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali