Barcelona ka zbuluar një tjetër talent nga akademia e saj, pasi Brian Farinas zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer në debutimin zyrtar me ekipin e parë, në fitoren ndaj Alavesit në “Spotify Camp Nou”.
Mesfushori 20-vjeçar nga Benicarló u aktivizua nga trajneri Hansi Flick në një pozitë të pazakontë për të, atë të mbrojtësit të djathtë, por arriti të përgjigjej me një paraqitje shumë të kompletuar, si në aspektin defensiv, ashtu edhe në ndërtimin e lojës.
Fariñas, i cili ka marrë fanellën me numrin 4, të lënë të lirë pas largimit të Ronald Araujos, regjistroi statistika mbresëlënëse në ndeshjen e tij të parë me ekipin e parë katalunas.
Ai pati 114 përfshirje në lojë, duke regjistruar shifrën e katërt më të lartë në skuadër, ndërsa kompletoi 100 pasime, me vetëm tri gabime në kombinimet me bashkëlojtarët.
Edhe në fazën defensive, talenti i Barcelonës tregoi siguri të madhe. Ai fitoi dy ndërhyrje dhe regjistroi gjashtë rikuperime të topit, duke qenë ndër më të mirët e skuadrës në këtë statistikë, së bashku me Rodrin.
Një tjetër element pozitiv ishte bashkëpunimi i tij me Lamine Yamalin, me të cilin ka një raport shumë të mirë edhe jashtë fushës.
Paraqitja e Fariñasit konfirmon edhe besimin e Hansi Flickut, i cili më herët kishte vlerësuar gatishmërinë e tij për të ndihmuar ekipin edhe në pozicione të ndryshme nga roli i tij natyral.
Me këtë debutim, 20-vjeçari ka dhënë sinjale premtuese për të ardhmen dhe mund të jetë një tjetër alternativë interesante për Barcelonën në vazhdim të sezonit. /Telegrafi/