Policia identifikon 19-vjeçarin që voziti me 170 km/h në zonë urbane në Ferizaj

Policia identifikon 19-vjeçarin që voziti me 170 km/h në zonë urbane në Ferizaj

Written by

in

Policia e Ferizajt ka identifikuar një 19-vjeçar, i cili ishte incizuar duke drejtuar një veturë me shpejtësi prej 170 kilometrash në orë në një zonë të banuar, ku kufizimi i shpejtësisë ishte 40 km/h.

Sipas Policisë, i riu ishte filmuar duke drejtuar një veturë të tipit BMW, me targa vendore, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj. Pamjet e vozitjes me shpejtësi të lartë ai i kishte publikuar edhe në rrjetet sociale.

Gjatë verifikimeve, policia ka identifikuar drejtuesin me inicialet R.T., i cili ka pranuar se ishte personi që po drejtonte veturën në momentin e incizimit.

Po ashtu, është konstatuar se 19-vjeçari nuk posedonte patentë shoferi.

Ndaj tij janë ndërmarrë veprimet ligjore dhe është iniciuar procedurë kundërvajtëse për në gjykatë.

Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë apel qytetarëve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe të mos drejtojnë automjete pa patentë shoferi, pasi veprime të tilla rrezikojnë jetën dhe sigurinë e pjesëmarrësve në trafik.

Burimi: Dukagjini