
Policia e Ferizajt ka identifikuar një 19-vjeçar, i cili ishte filmuar duke drejtuar një veturë BMW me shpejtësi prej 170 kilometrash në orë në një zonë të banuar.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, ku kufizimi i shpejtësisë është 40 km/h. I riu e kishte publikuar vetë në rrjetet sociale videon, në të cilën shihej duke vozitur me shpejtësi të lartë.
Gjatë verifikimeve, policia ka konstatuar se drejtuesi me inicialet R.T. nuk posedonte patentë shoferi. Ai ka pranuar se ishte personi që drejtonte veturën në momentin e incizimit.
Ndaj tij janë ndërmarrë veprimet ligjore dhe është iniciuar kundërvajtje për procedim në gjykatë.
Policia ka apeluar te të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe të mos vozisin pa patentë shoferi, pasi veprime të tilla rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali