Shqiptari Leart Jahaj fitoi bursën prestigjioze Goldwater dhe vazhdon studimet në SHBA

Shqiptari Leart Jahaj fitoi bursën prestigjioze Goldwater dhe vazhdon studimet në SHBA

Written by

in

Studenti i kimisë në Providence College, Leart Jahaj, i lindur në Shqipëri dhe i rritur në Shtetet e Bashkuara, është shpallur fitues i Goldwater Scholarship 2026, një prej bursave më prestigjioze amerikane për studentët e shkencave natyrore, matematikës dhe inxhinierisë.

Krahas këtij suksesi, ai është përfshirë edhe në një program kërkimor të NASA-s, ku fokusi është te atmosfera dhe mjedisi.

Jahaj është përzgjedhur mes 454 fituesve nga gjithsej 1,485 kandidatë në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shënuar një arritje të rëndësishme akademike dhe shkencore.

I lindur në Shqipëri dhe i rritur në SHBA, ai aktualisht studion Kimi në Providence College, ku është angazhuar në projekte kërkimore që lidhen me ndotjen e ajrit dhe analizimin e përbërjes kimike të grimcave atmosferike.

Puna e tij shkencore ka përfshirë edhe bashkautorësinë në një studim të publikuar në revistën ndërkombëtare shkencore “ACS Omega”, duke dëshmuar angazhimin e tij në kërkimet akademike që në nivelin universitar, shkruan News Providence, transmeton Telegrafi.

Një tjetër arritje në rrugëtimin e tij është përfshirja në programin “Student Airborne Research Program” të NASA-s, ku studentët marrin pjesë në kërkime shkencore që lidhen me Tokën, atmosferën dhe ndryshimet mjedisore. Përmes këtij programi, Jahaj ka mundësinë të punojë me të dhëna dhe projekte kërkimore në bashkëpunim me studiues të fushës.

Bursa Goldwater konsiderohet një nga vlerësimet më të rëndësishme për studentët universitarë në SHBA, duke mbështetur të rinjtë me potencial të lartë në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, të cilët synojnë të vazhdojnë karrierën në kërkime shkencore.

Pas përfundimit të studimeve universitare, Leart Jahaj synon të vazhdojë me doktoraturë në Kimi, me synimin për t’u thelluar në kërkimet shkencore dhe për të kontribuar në studimin e ndotjes dhe mbrojtjen e mjedisit.

Suksesi i tij përbën një tjetër shembull të të rinjve me prejardhje shqiptare që po arrijnë rezultate të rëndësishme në institucionet akademike dhe shkencore ndërkombëtare./Telegrafi/