Belgjika po përballet me një krizë të re politike, pasi kryeministri Bart De Wever i ka ofruar dorëheqjen mbretit Philippe, pas dështimit të negociatave mes partive të koalicionit për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Mosmarrëveshjet mes partnerëve qeverisës lidhen kryesisht me shkurtimet e shpenzimeve publike dhe rritjen e taksave, në një kohë kur vendi po përballet me presion të madh mbi financat publike, raporton Reuters.
Qeveria duhet të gjejë rreth 10 miliardë euro përmes kursimeve dhe masave të reja fiskale, por partitë e koalicionit nuk kanë arritur marrëveshje për mënyrën se si duhet të realizohet kjo.
Mbreti Philippe i ka kërkuar kryeministrit të vazhdojë përpjekjet për gjetjen e një kompromisi. Ai pritet të konsultohet me drejtuesit e partive të koalicionit përpara një takimi të ri me De Wever të premten.
Nëse nuk arrihet marrëveshje, Belgjika mund të përballet me vështirësi në financimin e shpenzimeve shtetërore dhe me një periudhë të re pasigurie politike.
Burimi: Dukagjini
