
Kosova dhe Italia pritet të thellojnë bashkëpunimin në fushën e kinematografisë, përmes një marrëveshjeje bilaterale për bashkëprodhimin e filmave.
Gjatë qëndrimit në Romë, në kuadër të pjesëmarrjes në Festivalin EuroBalkan Film, drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, dhe ambasadorja e Kosovës në Itali, Nita Shala, zhvilluan një takim me drejtorin e përgjithshëm për Kinemanë dhe Audiovizualin në Ministrinë e Kulturës së Italisë, Giorgio Carlo Brugnoni. Takimi u zhvillua në një frymë konstruktive, me synimin e forcimit të marrëdhënieve kulturore dhe kinematografike ndërmjet dy vendeve.
Gjatë këtij takimi u dakordua që të nisin procedurat për hartimin e një marrëveshjeje bilaterale për bashkëprodhimin e filmave ndërmjet Kosovës dhe Italisë.
Kjo marrëveshje synon të hapë mundësi të reja për realizimin e projekteve të përbashkëta filmike, të nxisë bashkëpunimin ndërmjet industrive kinematografike dhe të mundësojë shkëmbim profesional e artistik mes dy vendeve./KlanKosova.tv
