Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka nisur sot një aksion për mbikëqyrjen e produkteve që tregtohen përmes platformave online.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, aksioni është përqendruar në kontrollimin e produkteve që transportohen drejt konsumatorëve përmes shërbimeve postare, me fokus në verifikimin e ligjshmërisë së bizneseve që ushtrojnë shitje online.
“Gjatë inspektimeve po verifikohet nëse bizneset janë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), nëse për produktet e shitura lëshohet kupon fiskal, si dhe nëse produktet shoqërohen me deklaracionin përkatës të prejardhjes dhe dokumentacionin e kërkuar ligjor”, thuhet në njoftim.
Në këtë aksion janë angazhuar 11 ekipe inspektuese, të cilat kanë vepruar në tetë komunat kryesore të Kosovës.
“Sipas rezultateve preliminare, gjatë ditës së sotme janë realizuar gjithsej 23 inspektime, prej të cilave 6 lëndë janë përfunduar, ndërsa 17 lëndë mbeten në procedurë”, bëhet e ditur në komunikatë.
Ministria ka njoftuar se aktivitete të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me institucionet partnere, do të vazhdojë aktivitetet e tilla me qëllim të garantimit të konkurrencës së drejtë, mbrojtjes së konsumatorëve, parandalimit të praktikave të paligjshme tregtare dhe sigurimit të zbatimit të legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.
Burimi: RTKLive
