Influenceri Liam Fitzgerald ka ndërruar jetë në moshën 29-vjeçare, pas një aksidenti me motoçikletë në Miami.
Lajmin e trishtë e ka konfirmuar e dashura e tij, Jamie Lyn Rinaldi, përmes një postimi në Instagram.
Ajo ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur më 30 tetor, rreth orës 02:00 të mëngjesit, ndërsa Fitzgerald ka pësuar lëndime të rënda.
Pavarësisht përpjekjeve për t’ia shpëtuar jetën, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
Rrethanat e sakta të aksidentit ende nuk janë bërë publike.
Fitzgerald ishte një emër i njohur në rrjetet sociale, ku ndiqej nga më shumë se një milion persona në Instagram.
Ai publikonte rregullisht përmbajtje rreth fitnesit, modës dhe financave, teksa kishte edhe një profil në platformën OnlyFans.
I lindur në Evansville të Wisconsin-it, ai ishte zhvendosur fillimisht në Arizona, ndërsa në moshën 24-vjeçare kishte nisur jetën në Miami.
Në një intervistë të dhënë për revistën “Inked” në shkurt të këtij viti, Fitzgerald kishte folur për dëshirën e tij për t’i ndihmuar të tjerët të arrinin synimet personale, qoftë në fitnes apo në ndërtimin e një brendi.
Përveç pasionit për ushtrimet fizike, ai ishte i dhënë edhe pas motoçikletave, të cilat shpesh i shfaqte në publikimet e tij në rrjetet sociale.
Pas lajmit për vdekjen e tij, disa krijues të njohur të përmbajtjeve kanë shprehur dhimbjen dhe janë përshëndetur me të përmes mesazheve prekëse.
Mes tyre ishte edhe modeli i fitnesit JT Reinhard, i cili kujtoi një aksident të rëndë që kishte përjetuar vetë dhe paralajmëroi për rreziqet e drejtimit të motoçikletave. /Telegrafi/