Arrestohen tre persona të dyshuar për ‘grabitje’ në Pejë

Arrestohen tre persona të dyshuar për ‘grabitje’ në Pejë

Written by

in

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rreth orës 02:35, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka pranuar një raportim për një grabitje që dyshohet se kishte ndodhur rreth orës 01:10.

Viktima, një shtetase e huaj, ka deklaruar se tre persona të panjohur, meshkuj, kishin hyrë me forcë në banesën ku ajo banonte. Të dyshuarit, duke përdorur forcën fizike, i kishin marrë një shumë parash dhe një telefon mobil, ndërsa i kishin shkaktuar edhe lëndime të lehta trupore.

Pas veprimeve hetimore dhe punës në terren, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve kanë arritur t’i identifikojnë dhe lokalizojnë tre personat e dyshuar, të cilët më pas janë arrestuar.

Gjatë kontrollit, tek të dyshuarit janë gjetur para dhe një telefon mobil, që dyshohet se janë marrë gjatë grabitjes. Sendet janë sekuestruar si prova materiale.

Me vendim të prokurorit të shtetit, rasti është iniciuar si “Grabitje”, ndërsa tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia Rajonale në Pejë ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin në parandalimin dhe luftimin e veprave penale, me qëllim të garantimit të sigurisë publike.

Burimi: RTKLive