Marrëveshja paraprake parasheh eliminimin e një sërë procedurash burokratike për eksportuesit britanikë, përfshirë certifikatat shëndetësore dhe fitosanitare, tarifat e inspektimeve dhe dokumentacionin për produktet organike.
Përmes këtyre ndryshimeve, kompanitë pritet të përballen me më pak vonesa dhe shpenzime gjatë eksportimit të mallrave drejt tregut evropian. Sipas vlerësimeve të qeverisë britanike, përfitimet ekonomike nga kjo marrëveshje mund të arrijnë në rreth 5.1 miliardë paundë në vit.
Në kuadër të marrëveshjes, Londra do të duhet të përshtatë legjislacionin e saj me standardet e Bashkimit Evropian për ushqimin, kafshët dhe bimët. Kjo nënkupton një përafrim të vazhdueshëm me rregullat evropiane, edhe në rastet kur ato ndryshojnë në të ardhmen.
Krahas tregtisë ushqimore, të dyja palët po shqyrtojnë edhe mundësinë e bashkëpunimit në tregtimin e emetimeve të karbonit, lëvizjen dhe punësimin e të rinjve, si dhe çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ndërkohë, përfaqësues të bizneseve britanike po kërkojnë hapa të mëtejshëm drejt afrimit ekonomik me BE-në, duke përfshirë edhe mundësinë e një bashkëpunimi më të ngushtë doganor.
Marrëveshja pritet të shënojë një hap të rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve tregtare mes Londrës dhe Brukselit, gati një dekadë pas referendumit për Brexit-in, pa nënkuptuar rikthimin e Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian.
Burimi: RTKLive
