Një aksident tragjik ajror ka ndodhur në rajonin e Everestit, në Nepal, ku dy helikopterë janë përplasur gjatë manovrave për ulje në zonën e Pheriche.
Si pasojë e aksidentit, një turist 47-vjeçar nga India ka humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas raportimeve, helikopterët i përkisnin kompanive ajrore Fishtail Air dhe Air Dynasty. Në mesin e të plagosurve raportohet se janë edhe dy pilotët.
Aksidenti ndodhi në një lartësi prej rreth 4.200 metrash mbi nivelin e detit, në një zonë malore që frekuentohet nga turistët dhe alpinistët që vizitojnë malin Everest.
Dyshimet fillestare lidhen me përplasjen e rotorëve gjatë afrimit për ulje, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te rreziqet e transportit ajror në rajonet malore të Himalajeve, ku lartësia dhe kushtet e vështira atmosferike e bëjnë fluturimin veçanërisht sfidues.
Burimi: Dukagjini
