Shasime Osmani: Rastet kriminale janë keqpërdorur për të diskriminuar shqiptarët në Zvicër

Shasime Osmani: Rastet kriminale janë keqpërdorur për të diskriminuar shqiptarët në Zvicër

Written by

in

Deputetja shqiptare në kantonin e Bernit, Shasime Osmani, ka rrëfyer për përvojat e saj me racizmin dhe diskriminimin ndaj shqiptarëve në Zvicër, duke theksuar se raste të caktuara kriminale janë përdorur nga partitë politike për të paragjykuar dhe diskriminuar një komunitet të tërë.

Në një intervistë për Telegrafin, Osmani ka treguar se ka pasur periudha kur ka hezituar të tregojë përkatësinë e saj shqiptare, për shkak të fushatave kundër shqiptarëve dhe përvojave personale me urrejtjen dhe racizmin.

Ajo ka thënë se rastet kur individë shqiptarë kanë kryer vepra penale janë keqpërdorur publikisht për të krijuar paragjykime ndaj të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Zvicër.

Osmani ka theksuar se pranimi i identitetit të saj shqiptar ka qenë një proces personal, duke shtuar se nuk dëshiron që shqiptarët të identifikohen vetëm me rastet kriminale, shkruan Telegrafi.

“Ne jemi njerëz të mirë dhe ka njerëz që bëjnë krime, por ka shumë më shumë njerëz të mirë sesa të këqij”, ka deklaruar ajo.

Osmani ka folur edhe për mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në politikën zvicerane. Ajo ka bërë të ditur se para se të bëhej asambliste në vitin 2024, në qytetin e Bernit nuk kishte pasur një shqiptar apo shqiptare tjetër në atë pozitë.

Sipas saj, përfaqësimi politik është i rëndësishëm për një komunitet që ka disa gjenerata që jetojnë në Zvicër dhe që, siç është shprehur ajo, ka arritur suksese në fusha të ndryshme.

Ajo ka treguar se angazhimi i saj politik lidhet edhe me mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve, duke përmendur lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë zvicerane dhe krijimin e mundësive të barabarta për fëmijët e familjeve me prejardhje migrante.

Një tjetër çështje për të cilën Osmani ka thënë se është angazhuar është e drejta e votës për migrantët që jetojnë në Zvicër me leje qëndrimi C, por që nuk kanë pasaportë zvicerane.

Ajo ka bërë të ditur se kjo çështje është ngritur edhe në kuadër të diskutimeve parlamentare, duke theksuar se angazhimi i saj politik synon avancimin e të drejtave dhe përfaqësimit të komuniteteve me prejardhje migrante.

Ndryshe deputetja shqiptare në Parlamentin e Kantonit të Bernës në Zvicër, Shasime Osmani në një intervistë për Telegrafin, ka rrëfyer rrugëtimin e saj personal dhe politik, sfidat me të cilat është përballur si shqiptare në Zvicër, përvojat me racizmin, por edhe rëndësinë e arsimimit dhe guximin për të ndjekur ëndrrat./Telegrafi/