Gjermania synon përgjysmimin e lejeve të punës për Ballkanin Perëndimor

Gjermania synon përgjysmimin e lejeve të punës për Ballkanin Perëndimor

Written by

in

Gjermania synon përgjysmimin e lejeve të punës për Ballkanin Perëndimor

Gjermania synon të përgjysmojë numrin e miratimeve për leje pune për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, nga 50 mijë në 25 mijë në vit, duke filluar nga 1 janari 2027.

Kundër këtij propozimi ka dalë fuqishëm sektori gjerman i ndërtimit, i cili paralajmëron pasoja të drejtpërdrejta në mungesën e fuqisë punëtore, veçanërisht të punëtorëve nga rajoni, përfshirë shqiptarët.

Sipas një raportimi të publikuar më 3 nëntor nga gazeta gjermane “Allgemeine Bauzeitung”, Qeveria Federale pritet ta shqyrtojë këtë propozim të mërkurën, më 4 nëntor.

Projekt-rregullorja e Ministrisë Federale të Punës parasheh që Agjencia Federale e Punësimit të japë vetëm 25 mijë miratime fillestare në vit, në vend të 50 mijë sa është kuota aktuale, transmeton Telegrafi.

Shoqata Qendrore Gjermane e Ndërtimit (ZDB) paralajmëron se përgjysmimi i kuotës mund t’i kushtojë sektorit të ndërtimit rreth 9 mijë punëtorë.

Sipas kësaj organizate, rreth 35 për qind e vizave të lëshuara përmes Rregullores së Ballkanit Perëndimor u takojnë kompanive të ndërtimit.

Kreu i ZDB-së, Felix Pakleppa, i ka bërë thirrje qeverisë gjermane të mos e miratojë shkurtimin, duke theksuar se sektori i ndërtimit varet ndjeshëm nga punëtorët e huaj.

Sipas tij, çdo i shtati punonjës në ndërtim ka pasaportë të huaj dhe kufizimi i ardhjes së punëtorëve do ta vështirësonte realizimin e projekteve për ndërtimin e banesave, renovimin e urave dhe zgjerimin e rrjeteve energjetike.

Rregullorja e njohur si “Westbalkanregelung” u mundëson shtetasve të Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut të punësohen në Gjermani në kushte të lehtësuara, me kusht që të kenë një ofertë konkrete pune.

Përmes kësaj skeme mund të punësohen edhe persona pa kualifikim të njohur profesional në Gjermani.

Sipas të dhënave të cituara nga organizata gjermane e ndërtimit, 98 për qind e personave që kanë hyrë në tregun gjerman të punës përmes kësaj rregulloreje janë të punësuar.

Organizata kërkon që qeveria të heqë dorë nga përgjysmimi i kuotës dhe në vend të kësaj të përmirësojë procedurat, duke i bërë ato më të shpejta dhe digjitale.

Shqetësim mbetet edhe fakti se mekanizmat e rinj të paralajmëruar nga qeveria për lehtësimin e migrimit të fuqisë punëtore ende nuk janë funksionalizuar.

Vendimi i qeverisë gjermane pritet të jetë me interes të veçantë për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë, të cilët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të aplikuesve nga Ballkani Perëndimor për punësim në Gjermani.

Burimi: Insajderi