Një muaj paraburgim për turkun që sulmoi policin me tastierë kompjuteri brenda stacionit policor në Prishtinë

Një muaj paraburgim për turkun që sulmoi policin me tastierë kompjuteri brenda stacionit policor në Prishtinë

Written by

in

Një muaj paraburgim për turkun që sulmoi policin me tastierë kompjuteri brenda stacionit policor në Prishtinë

Një muaj paraburgim i është caktuar Ismet Aksoyt, 52-vjeçarit nga Turqia, i cili dyshohet se shkaktoi incident brenda Stacionit Policor Jugu në Prishtinë, ku dëmtoi inventarin e një zyre dhe sulmoi një zyrtar policor me tastierë kompjuteri.

Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ku është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore për caktimin e kësaj mase.

Aksoy dyshohet për dy vepra penale: “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” dhe “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë”.

Në arsyetimin e vendimit, gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që i dyshuari, nëse lihet në liri, të pengojë zhvillimin normal të procedurës penale, t’i shmanget ndjekjes penale duke u arratisur, si dhe të përsërisë veprat për të cilat dyshohet.

“Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rreziku real që nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të pengoj zhvillimin normal të procedurës penale, t’i shmanget ndjekjes penale duke u arratisur, pasi i njëjti është edhe shtetas i Turqisë. Gjykata ka vlerësuar se nëse i pandehuri lihet në liri ekziston rreziku që i njëjti të përsërisë veprat e njëjta penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për incidentin, i cili kishte ndodhur mëngjesin e 29 tetorit, rreth orës 08:10, brenda Stacionit Policor Jugu.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, Aksoy, i cili në atë kohë ndodhej në ambientet e policisë si person i ndaluar, dyshohet se kishte nisur të dëmtonte raftet dhe dollapët në njërën prej zyrave të katit përdhes.

Më pas, ai dyshohet se kishte marrë tastierën e kompjuterit dhe e kishte hedhur në drejtim të zyrtarëve policorë, duke e goditur njërin prej tyre në këmbë.

Pas incidentit, policët kishin ndërhyrë për ta vënë nën kontroll dhe për t’i vendosur prangat, ndërsa në vendin e ngjarjes kishin dalë hetuesit dhe krimteknikët për të dokumentuar dëmtimet.

Zyrtari policor i goditur ishte intervistuar në cilësinë e të dëmtuarit, ndërsa dy zyrtarë të tjerë kishin dhënë deklarata si dëshmitarë.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali