Guvernatori Ismaili informon shefat e misioneve diplomatike për zhvillimet në sektorin financiar

Guvernatori Ismaili informon shefat e misioneve diplomatike për zhvillimet në sektorin financiar

Written by

in

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka prezantuar para përfaqësuesve të misioneve diplomatike dhe institucioneve ndërkombëtare në Kosovë zhvillimet makroekonomike, gjendjen e sektorit financiar dhe reformat që synojnë integrimin e mëtejshëm të vendit në sistemin financiar evropian.

Gjatë takimit, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, EULEX-it, Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Ismaili theksoi se sektori financiar i Kosovës vazhdon të jetë stabil, i qëndrueshëm dhe i mirëkapitalizuar.

Sipas të dhënave të prezantuara nga BQK-ja, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit në sektorin bankar është 16.4 për qind, treguesi i mbulimit me likuiditet rreth 300 për qind, ndërsa kreditë joperformuese përbëjnë vetëm 2 për qind.

Një ndër prioritetet kryesore të BQK-së mbetet anëtarësimi i Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), proces që synon të mundësojë transfere ndërkufitare në euro më të shpejta, më të sigurta dhe me kosto më të ulët.

Sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore, anëtarësimi në SEPA mund të gjenerojë kursime vjetore prej mbi 55 milionë eurosh për qytetarët, bizneset dhe diasporën.

BQK-ja ka bërë të ditur se, pas miratimit të ndryshimeve në legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, është duke përfunduar procedurat e brendshme për dorëzimin zyrtar të aplikimit të Kosovës në Këshillin Evropian të Pagesave (EPC).

Një tjetër projekt i prezantuar ishte sistemi TIPS Clone (TIPS-K), i cili po zhvillohet në bashkëpunim me Bankën e Italisë. Kjo infrastrukturë e re synon të mundësojë pagesa të menjëhershme brenda pak sekondash, 24 orë në ditë dhe gjatë gjithë vitit.

Sipas BQK-së, përgatitjet për këtë sistem janë duke avancuar, ndërsa fillimi i fazës pilot synohet deri në fund të nëntorit 2026, në varësi të përfundimit të testimeve teknike dhe përmbushjes së kërkesave për gatishmëri operacionale.

Gjatë prezantimit, Ismaili theksoi gjithashtu reformat që po zbatohen për forcimin e mbikëqyrjes së sektorit financiar, avancimin e kornizës rregullative sipas standardeve të Bashkimit Evropian, mbrojtjen e konsumatorëve dhe modernizimin e sistemeve të pagesave.

“Stabiliteti financiar, reformat institucionale dhe integrimi evropian janë prioritete që përforcojnë njëra-tjetrën në veprimtarinë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Objektivi ynë është të sigurojmë që përafrimi me standardet evropiane të përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët, bizneset dhe ekonominë në tërësi”, deklaroi Ismaili.

Ai vlerësoi edhe mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare dhe bankave qendrore të vendeve partnere përmes asistencës teknike dhe zhvillimit të kapaciteteve institucionale, duke riafirmuar përkushtimin e BQK-së për avancimin e reformave dhe integrimin e Kosovës në arkitekturën financiare evropiane.