Parlamentarët e NATO-s: Përmirësimi i sigurisë në Kosovë të shërbejë si shtysë për përparim të mëtejshëm politik

Parlamentarët e NATO-s: Përmirësimi i sigurisë në Kosovë të shërbejë si shtysë për përparim të mëtejshëm politik

Written by

in

Parlamentarët e NATO-s: Përmirësimi i sigurisë në Kosovë të shërbejë si shtysë për përparim të mëtejshëm politik

Përmirësimi i sigurisë në Kosovë mund t’i hapë rrugë një faze të re të përparimit politik dhe forcimit të institucioneve demokratike, por sfidat që lidhen me tensionet e vazhdueshme dhe kërcënimet hibride vazhdojnë të mbeten të pranishme. Kështu vlerësojnë parlamentarët e NATO-s, të cilët pas një misioni faktmbledhës në Prishtinë kanë theksuar nevojën që zhvillimet pozitive në fushën e sigurisë të shoqërohen me reforma politike dhe rritje të besimit ndërmjet komuniteteve.

Në raportin e publikuar të martën, pas vizitës së zhvilluar më 28 dhe 29 tetor, theksohet se situata e sigurisë në vend është përmirësuar, por tensionet e vazhdueshme dhe kërcënimet hibride mbeten sfida për stabilitetin afatgjatë.

Gjatë vizitës, një delegacion i Komitetit Politik të Asamblesë Parlamentare të NATO-s zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, me të cilët diskutoi synimet e vendit për thellimin e integrimit euroatlantik dhe rritjen e kontributit në sigurinë rajonale dhe atë të aleatëve.

Sipas raportit, zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, prezantuan prioritetet strategjike të Kosovës. Ndër to u përmendën rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, prokurimi i pajisjeve, rekrutimi i personelit, si dhe përmirësimi i trajnimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe ndërveprueshmërisë së saj me forcat aleate.

Udhëheqësit e Kosovës, thuhet në raport, ritheksuan se “anëtarësimi në NATO mbetet prioritet strategjik i vendit”. Ata gjithashtu nënvizuan mbështetjen politike dhe praktike që Kosova vazhdon t’i ofrojë Ukrainës.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte mbështetja e gjerë për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Gjatë misionit faktmbledhës u theksua se “ekziston një konsensus i gjerë, si në spektrin politik, ashtu edhe në shoqërinë kosovare, në favor të anëtarësimit në NATO dhe bashkëpunimit të ngushtë me Aleancën”.

Delegacioni trajtoi gjithashtu ndryshimet në mjedisin e sigurisë dhe rolin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, përfshirë edhe gjatë vizitës në selinë e misionit të KFOR-it.

Në këtë kontekst, raporti i referohet edhe vendimit për optimizimin gradual të pranisë së KFOR-it në Kosovë, duke theksuar se Aleanca ruan mundësinë e përshtatjes së forcave të saj në rast të përkeqësimit të situatës.

“KFOR-i vazhdon të jetë thelbësor për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet. Në funksion të përmirësimit të situatës së sigurisë, Aleanca ka nisur optimizimin gradual të pozicionimit dhe pranisë së KFOR-it, në përputhje me rrethanat e ndryshueshme në terren. Megjithatë, NATO-ja ruan mundësinë e përshtatjes së pranisë së forcave të saj në rast të përkeqësimit të situatës së sigurisë”, thuhet në raport.

Paralelisht me çështjet e sigurisë, gjatë diskutimeve u theksua nevoja që përparimi politik në Kosovë të ecë në të njëjtin drejtim me zhvillimet në këtë fushë.

Në këtë drejtim, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, u vlerësua si një element kyç për sigurimin e stabilitetit të qëndrueshëm në rajon.

“Thelbësore do të jetë normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i zotimeve ekzistuese në të ardhmen e afërt”, u theksua në raport.

Sipas parlamentarëve të NATO-s, Kosova ka mundësi të shfrytëzojë përmirësimin e sigurisë për të avancuar reformat politike, për të forcuar institucionet demokratike dhe për t’iu afruar më shumë synimit të integrimit euroatlantik.

Ndër prioritetet e evidentuara gjatë takimeve janë forcimi i sundimit të ligjit, mbikëqyrja parlamentare, llogaridhënia institucionale dhe rritja e besimit te komunitetet joshumicë.

Kjo, sipas delegacionit, kërkon mbrojtje efektive të të drejtave gjuhësore dhe pronësore, pjesëmarrje politike dhe qasje të barabartë në shërbimet publike.

Delegacioni i Nënkomitetit për Marrëdhëniet Transatlantike (PCTR) dhe Nënkomitetit për Partneritetet e NATO-s (CPNP) qëndroi në Prishtinë më 28 dhe 29 tetor.

Gjatë kësaj vizite, anëtarët e delegacionit u takuan me kryeministrin, ministra të kabinetit qeveritar, udhëheqës të grupeve parlamentare nga partitë në pushtet dhe opozitë, përfaqësues të komuniteteve joshumicë, si dhe përfaqësues të KFOR-it, UNMIK-ut dhe EULEX-it.

Në takime morën pjesë gjithashtu ekspertë të pavarur dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali