Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se janë identifikuar edhe tre persona të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, pas pranimit të raporteve të reja të analizave të ADN-së.
Bëhet fjalë për Adem (Fazli) Ademin, Fatmir (Bajram) Fazliun dhe Ali (Islam) Halitin, të cilët ishin pjesë e Grupit të Intelektualëve.
Sipas Kurtit, identifikimi është bërë mbi bazën e raporteve të reja të ADN-së, të pranuara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, pas zhvarrosjes së mbetjeve mortore në Kalludër dhe Jabukë.
Ai ka bërë të ditur se Komisioni, në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tre personave të identifikuar.
Adem Ademi, Fatmir Fazliu dhe Ali Haliti ishin intelektualë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, të cilët, sipas Kurtit, në prill të vitit 1999 u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe dhe u zhdukën me dhunë.
Kryeministri ka shprehur ngushëllimet për familjet e tyre, duke theksuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës.
Kurti ka kërkuar gjithashtu drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës, duke akuzuar Serbinë se vazhdon t’i mohojë ato, të fshehë dokumentet dhe arkivat, si dhe të glorifikojë autorët e gjenocidit.
Identifikimi i tre personave vjen pas zhvarrosjes së mbetjeve mortore në Kalludër dhe Jabukë, në kuadër të përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.