Lajmi është bërë i ditur nga Komuna e Obiliqit, e cila ka vlerësuar këtë donacion si një kontribut të rëndësishëm në pasurimin e fondit bibliotekar dhe në krijimin e mundësive më të mëdha për lexuesit dhe dashamirët e librit.
Në kuadër të vizitës në Institutin Albanologjik, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Obiliq, Ilire Kelmendi-Shema, së bashku me zyrtaren e bibliotekës, Diellza Osmani, janë pritur nga sekretari shkencor Adil Olluri, profesori Faton Krasniqi dhe Shpresa Dushi Dibrani, zyrtare e lartë e Arkivit Shkencor.
Komuna e Obiliqit ka shprehur mirënjohje për Institutin Albanologjik dhe Degën e Gjuhësisë për këtë donacion, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional në mbështetje të kulturës, dijes dhe promovimit të leximit.
Me këtë rast, qytetarët dhe të gjithë të interesuarit janë ftuar të vizitojnë Bibliotekën e Qytetit “Shqipe Suzana Rama” për t’u njohur nga afër me titujt e rinj që tashmë janë pjesë e fondit të saj bibliotekar.
Burimi: RTKLive
